Varfëria, fluks kërkesash nga të moshuarit për të frekuentuar qendra sociale ditore
Jonida Tashi
Varfëria ka bërë që një pjesë e konsiderueshme e të moshuarve të hedhin sytë nga qendrat sociale të shërbimeve ditore. Për vitin 2009, deri tani në dyert e këtyre institucioneve sociale kanë trokitur 41 të moshuar të rinj, të cilët janë pranuar. Burime zyrtare nga Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH), bëjnë të ditur se gjatë vitit 2009 janë shtuar kërkesat për përfitim shërbim ditor në qendrën ditore Kamzë dhe atë polivalente Sarandë. Sipas SHSSH-së, në kuadër të zgjerimit të kapaciteteve institucionale, shtimit të tipologjive të shërbimit social, është vënë re një fluks kërkesash për përkujdesje sociale në institucionet shtetërore. Aktualisht në përbërje të rrjetit publik të përkujdesit shoqëror funksionojnë pesë qendra rezidenciale dhe dy ditore që ofrojnë shërbime për rreth 300 të moshuar me probleme të thella social-ekonomike.
Pranimet
Dinamika e pranimeve dhe lëvizjeve të klientëve në institucionet e përkujdesit shoqëror gjatë vitit 2009 ka qenë e larmishme. Gjatë kësaj periudhe janë strehuar në institucionet sociale publike janë 263 të moshuar nga të cilët 41 janë pranuar si të rinj; 2 janë larguar dhe 8 kanë vdekur. Ndërsa në institucionet sociale jo publike sipas informacioneve të dorëzuara pranë sektorit të Inspektimit të Standardeve për Moshat e rritura janë strehuar 121 të moshuar dhe janë pranuar 5 të rinj. Ministria e Punës, në bashkëpunim me Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë dhe Shërbimin Social Shtetëror, me rastin e 1 Tetorit, Ditës Ndërkombëtare e Moshës së Tretë, kanë vendosur që ta kremtojnë këtë ditë me një radhë aktivitetesh sensibilizuese të cilat do të zhvillohen në shtëpitë e të moshuarve në Tiranë, Shkodër, Kavajë, Fier dhe Gjirokastër. Në aktivitetet me logo “Për një shoqëri pa moshë“, janë ftuar të marrin pjesë përfaqësues të shtetit dhe qeverisë, drejtues dikasteresh dhe drejtorish që implementojnë politikat, drejtues të institucioneve të përkujdesit social, përfaqësues të shoqërisë civile dhe OJF-ve që operojnë në fushën e shërbimeve për këtë grupmoshë, etj.
Shërbimet
Drejtori i Shërbimit Social Shtetëror, Mihal Naço, bën të ditur se një nga pikësynimet e këtyre qendrave ka qenë sensibilizimi i shoqërisë lidhur me problemet e moshës së tretë. “Integrimi i të moshuarve në institucionet tona të përkujdesit social është ndjekur sipas planeve të punonjësve socialë të hartuar për këtë qëllim. Pjesë kryesore e këtij plani janë realizimi i aktiviteteve social-kulturore si festimi i festave të ndryshme kombëtare, fetare, organizimi i bisedave të ndryshme, ekskursioneve”,- shprehet Naço. Sipas drejtorit të SHSSH-së, standardet e shërbimeve shoqërore janë një instrument për garantimin e të drejtave të sanksionuara në Kushtetutë, legjislacionin shqiptar dhe konventat ndërkombëtare. Madje jo vetëm kaq, por standardet shërbejnë si mjet për matjen dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve nga të gjithë ofruesit publikë e privatë. Pikërisht për t’i ofruar një shërbim sa më cilësor moshës së tretë, Shërbimi Social ka nisur një kurs trajnimi për punonjësit e qendrave sociale.
Somario
Funksionojnë pesë qendra rezidenciale dhe dy ditore që ofrojnë shërbime për rreth 300 të moshuar me probleme të thella social-ekonomike
Dinamika e pranimeve dhe lëvizjeve të moshës së tretë gjatë vitit 2009
Gjatë kësaj periudhe janë strehuar në institucione sociale publike 263 të moshuar nga të cilët 41 janë pranuar si të rinj, 2 janë larguar dhe 8 kanë vdekur.
Në institucionet sociale jo publike sipas informacioneve të dorëzuara pranë sektorit të Inspektimit të Standardeve për Moshat e rritura janë strehuar 121 të moshuar janë pranuar 5 të rinj.
Shpërndarja gjeografike e moshës së tretë
Shtëpia e të Moshuarve Tiranë, është një nga institucionet e përkujdesit social të hershëm të vendit tonë, me një eksperiencë 36 vjeçare. Kapaciteti maksimal është për 38 persona. Aktualisht trajtohen 27 persona të moshuar.
Shtëpia e të Moshuarve Shkodër ka një kapacitet për 82 klientë dhe trajtohen 64 të moshuar të braktisur, shumë prej të cilëve janë me probleme neuro-psikiatrike.
Shtëpia e të Moshuarve Kavajë ka një kapacitet për 70 klientë dhe aktualisht trajtohen 27 të moshuar.
Shtëpia e të Moshuarve Fier ka një kapacitet për 60 klientë, aktualisht trajtohen 60 të moshuar me probleme sociale.
Shtëpia e të Moshuarve Gjirokastër ka një kapacitet për 56 klientë, aktualisht trajtohen 55 të moshuar me probleme sociale.
Sigurimet
Falen kamatëvonesat deri në 31 mars për të vetëpunësuarit
Qeveria ka miratuar si çdo vit, ligj për faljen e kamatëvonesave të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore, të papaguara, të të vetëpunësuarve në bujqësi. Të gjithë të vetëpunësuarit në bujqësi që deri tani nuk kanë kryer pagesat e kontributeve mund të përfitojnë nga kjo amnisti e qeverisë, duke paguar pa kamatë deri në datën 31 mars të vitit 2010 sigurimet shoqërore. Ky ka qenë vendimi që është marrë dje nga qeveria, për të tërhequr sa më shumë kontribuues në këtë skemë. Derdhja e sigurimeve shoqërore do t’i sigurojë kontribuuesve një pension të sigurt pleqërie dhe një sërë shërbimesh. Projektligji “Për faljen e kamatëvonesave të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore, të papaguara, të të vetëpunësuarve në bujqësi” ka qenë një ndër vendimet e para që Këshilli i Ministrave ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme. Sipas këtij vendimi, të vetëpunësuarve në bujqësi u falen kamatëvonesat e kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore, të papaguara, me kusht që detyrimet e këtyre kontributeve të arkëtohen brenda datës 31 mars 2010. Gjithashtu, do të falen edhe kamatëvonesat e papaguara për kontributet e sigurimeve të detyrueshme shoqërore, të paguara para hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ndërsa kamatëvonesat e paguara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, për kontributet e sigurimeve të detyrueshme shoqërore nuk kthehen. Rreth 185 mijë fermerë në të gjithë vendin do të përfitojnë nga vendimi i sapomiratuar për faljen e kamatvonesave, me kusht që të bëhet pagesa e detyrimeve. Kështu, vetëm një shumë prej 72 056 lekë duhet të paguajë një fermer për të siguruar periudha të prapambetura për 15 vite e 3 muaj (së bashku me sigurimin shëndetësor të vitit 2008), kur ushtron aktivitetin e tij në zona fushore dhe 46,665 lekë, kur ushtron aktivitet në zona malore, duke përfituar nga ligji i sigurimeve shoqërore ashtu sikurse të vetëpunësuarit në qytet. Fermerët janë një kategori tjetër që do të përfitojnë nga mitatimi i ligjit për faljen e detyrimeve të papaguara. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), favori që i bëhet fermerëve është i konsiderueshëm, pasi ai diktohet nga fakti që, fermerët mund të sigurojnë periudha të kaluara me ato masa kontributesh që kanë qenë në vitet respektive. Kjo do të thotë që, fermeri mund të sigurojë periudha të mëparshme, që nisin nga data 1.10.1993 me ato masa kontributesh të miratuara në vitet respektive, të cilat janë mjaft simbolike, sepse nuk ngarkohen me kamatvonesat sipas viteve përkatës.
Me pagesat e kontributeve të fermerëve përfitohet:
Të gjitha llojet e pensioneve ashtu sikurse të vetëpunësuarit në qytet, (pensione pleqërie, invaliditeti dhe familiare).
Shpërblim dhe leje lindje.
Sigurim shëndetësor (vizita falas, shtrime në institucionet shëndetësore, rimbursime medikamentesh, ekzaminime falas, etj.).
Kriteret që një fermer të sigurohet si i vetëpunësuar në bujqësi:
Të ketë aktivitet bujqësor dhe blegtoral
Të ketë tokë në pronësi, ose të marrë me qira apo të tjetërsuar në favor të tij
Të ketë qendrën e banimit në të njëjtin rreth ku ushtron aktivitetin bujqësor
Të mos jetë i siguruar në skema të tjera të sigurimit shoqëror
Femrerët, masa vjetore e kontributit që duhet paguar sipas viteve
Që fermerët të kenë një përfytyrim të plotë për shumat vjetore të kontributit që duhet të paguajnë sipas viteve, specialistët e ISSH-së kanë përgatitur tabelën e mëposhtme. Në tabelë tregohen masat vjetore të kontributeve të ndarë në zonat fushore dhe malore sipas viteve përkatës duke filuar që nga viti 1993 deri në vitin 2008. Janë klasifikuar si zona malore dhe rjedhimisht përfitojnë lehtësira më të mëdha, të vetëpunësuarit që ushtrojnë aktivitet bujqësor e blegtoral në rrethet: Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë e Tropojë.
Nr. Vitet Masa vjetore e kontributit për t’u paguar (lekë)
Zona fushore Zona malore
1 Nga 1.10.1993deri 31.12.1993 405 243
2 1994 1,620 972
3 1995 1,620 972
4 1996 1,620 972
5 1997 1,620 972
6 1998 1,620 972
7 1999 1,620 972
8 2000 1,620 972
9 2001 1,620 972
10 2002 3,890 2,335
11 2003 5,215 3,592
12
2004 6,951 4,790
13 2005 7,820 5,390
14 2006 9,455 6,223
15 2007 10,000 6,500
16 2008 12,000 7,800
1 Tetor 2009