E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bursat, Qeveria përcakton masën e përfitimit për nxënësit dhe studentët



Jonida Tashi

Zbardhet vendimi i qeverisë se sa do të jenë bursat për nxënësit dhe studentët gjatë vitit 2009-2010. Këshilli i Ministrave ka miratuar dje vendimin për bursat dhe pagesat e nxënësve e studentëve në institucionet arsimore publike për vitin shkollor 2009-2010. Sipas këtij vendimi, për herë të parë qeveria do t’u akordojë bursë të plotë të gjithë nxënësve të zonave të largëta (verilindore dhe juglindore) të vendit, të cilët janë regjistruar dhe do të ndjekin studimet këtë vit shkollor në shkollat profesionale. Gjithashtu do t’u jepen bursa të gjithë nxënësve që janë regjistruar këtë vit në shkollat profesionale në degët prioritare të ekonomisë, konkretisht ndërtim, bujqësi dhe pyje.
Vendimi
Kriza ekonomike botërore që ka përfshirë edhe vendin tonë ka bërë që qeveria të tregohet “dorështrënguar” për të rritur masën e bursave gjatë vitit të ri shkollor dhe akademik. Për rrjedhojë, niveli i bursave që nxënësit dhe studentët do të përfitojnë gjatë vitit 2009-2010 do të jetë i njëjtë me atë të një viti më parë. Konkretisht, masa e bursës për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme do të jetë 6 mijë lekë në muaj, ndërsa gjysmëbursa 3 mijë lekë. Kurse nxënësit që mësojnë në shkollat e Mjeshtërisë Sportive dhe nxënësit e arsimit special do të përfitojnë një bursë të plotë në masën 6500 lekë në muaj dhe një gjysmëbursë në masën 3750. Nxënësit jetim të shkollave bazë dhe të mesme do të marrin vetëm bursë të plotë në që është 6500 lekë në muaj. Bursat e miratuara nga qeveria për studentët do të jenë më të larta se ato të arsimit parauniversitar. Kështu bursa e plotë për studentët e universiteteve, Akademisë së Arteve dhe shkollat e tjera të larta do të jetë 8500, kurse bursa e pjesshme sa gjysma e bursës së plotë. Studentët e Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve do të marrin bursa më të larta për vitin e ri akademik. Bursa e plotë për këta studentë do të jetë 9 mijë lekë në muaj, kurse gjysmëbursa 4500.
Përfituesit
Vetëm 190 nxënës dhe 1600 studentë do të përfitojnë bursë vitin e ri arsimor. Qeveria, ka përcaktuar kategoritë që do të marrin ndihmë nga shteti vitin shkollor 2009-2010. Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave për vitet e para është data 15 dhjetor 2009, për të gjitha kategoritë e shkollave, ndërsa për vitet e dyta e lart, është data 30 nëntor 2009. Në raste të veçanta, kur këshilli i bashkisë apo i komunës nuk mund ta miratojë, brenda këtij afati, numrin e bursave të dhëna, mbetet kompetencë e Ministrisë së Arsimit shqyrtimi i këtyre vendimeve, rast pas rasti. Nxënësit, që ndjekin studimet në institucionet arsimore publike dhe studentët, që ndjekin një program studimi, të ciklit të parë, me kohë të plotë, në institucionet arsimore publike, mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera, nga buxheti vjetor, i miratuar për Ministrinë e Arsimit nëse plotësojnë disa kritere. Kriteri ekonomik si dhe rezultatet e larta në shkollë janë dy kushtet kryesore për të përfituar bursë. Por nga përfitimi i bursës nuk përjashtohen nxënësit ose studentët që kanë fituar statusin e jetimit. Bursat e nxënësve, për vitet e dyta e lart, rishqyrtohen dhe miratohen, çdo vit, nga këshilli i bashkisë dhe komunës, sipas vendndodhjes, territoriale e administrative të konvikteve, ku janë vendosur nxënësit konviktorë. Nxënësit, që në vitin e parë kanë përfituar bursë, me vendim të këshillit të bashkisë apo komunës, ku kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës. Bursat për nxënësit, të cilët studiojnë në shkollat profesionale, në degët parësore për zhvillimin e ekonomisë, si në degët bujqësore, veterinare, pyjore dhe në ndërtim, në vitet e dyta e lart, dhe që kanë mbaruar vitin akademik, pararendës, me notën mesatare mbi 8-të, planifikohen dhe shpërndahen nga Ministria e Arsimit.
Studentët
Bursat e studentëve, për vitet e dyta e lart, rishqyrtohen dhe miratohen, çdo vit, nga institucionet e arsimit të lartë. Studentët e viteve të dyta e lart, që nuk kanë përfituar bursë dhe plotësojnë kriterin ekonomik, mund ta përfitojnë atë brenda planit të bursave, të përcaktuar sipas këtij vendimi. Numri i bursave për këtë kategori studentësh dhe për studentët, që përfitojnë bursë sipas ligjit, është deri në 130, në shkallë vendi, brenda numrit të përgjithshëm të bursave, të dhëna për vitin shkollor 2009-2010. Institucionet e arsimit të lartë paraqesin, në Ministrinë e Arsimit, kërkesat për studentët, që përfitojnë bursë. Ministria e Arsimit harton planin e shpërndarjes, të cilin i’a dërgon për ekzekutim institucioneve të arsimit të lartë. Studentët, që, gjatë vitit të parë, kanë përfituar bursë me vendim të këshillit të bashkisë apo komunës, ku kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës.

Përfitimi i bursës sipas kritereve
Sipas kriterit ekonomik
Përfitojnë bursë sipas kriterit ekonomik nxënësit dhe studentët e mëposhtëm:
Nxënësit/studentët, që vazhdojnë studimet larg vendbanimit të tyre, në largësinë mbi 5 km, dhe plotësojnë kriterin ekonomik, sipas ligjit
Nxënësit, që banojnë në fshat, pa shkollë 9-vjeçare, brenda rrezes prej 5 km, e që vendosen në konvikt publik
Nxënësit/studentët, që kanë përfituar statusin e jetimit dhe që plotësojnë kriterin ekonomik
Nxënësit/studentët, të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore, me vendim gjykate, të formës së prerë, dhe që plotësojnë kriterin ekonomik
Secili nga studentët bashkëshort, me fëmijë, që plotëson kriterin ekonomik e që vendoset në konvikt publik
Fëmija, nxënës apo student, që ka statusin e invalidit, paraplegjik dhe tetraplegjik, dhe që plotëson kriterin ekonomik
Sipas rezultateve të arritura
Bursë sipas rezultateve të arritura përfitojnë:
Nxënësit e arsimit të mesëm profesional, që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës, me të gjitha notat 10-ta
Studentët, që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, e që kanë mbaruar shkollën e mesme, me Medalje Ari.
Studentët, që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, e që janë shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës më të mirët e Maturës Shtetërore. Për vitin 2008 janë, gjithsej, 30 (tridhjetë). Kjo kategori studentësh përfiton bursë vetëm për vitin shkollor 2008-2009
Studentët, që kanë mbaruar vitin akademik, pararendës, me të gjitha notat 10-ta
Studentët, që vazhdojnë studimet në degët matematikë dhe fizikë, në vitet e dyta e lart dhe që e kanë përfunduar vitin akademik, pararendës, me notën mesatare mbi 8-të
Jashtë kriterit ekonomik
Jashtë këtij kriteri përfitojnë bursë nxënësit ose studentët që janë fëmijë i punonjësit të policisë, që ka humbur jetën në krye e për shkak të detyrës. Në fillim të çdo viti akademik, Ministria e Brendshme dërgon në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës listën për këtë kategori.
Sipas degëve përparësore
Përfitojnë bursë sipas degëve përparësore për zhvillimin e ekonomisë nxënësit, të cilët vazhdojnë studimet në shkollat profesionale, në degët bujqësore, veterinare, pyjore dhe në ndërtim, në vitet e dyta e lart, dhe që kanë mbaruar vitin akademik, pararendës, me notën mesatare mbi 8-të
Kur nuk përfitohet bursa
Nxënësit dhe studentët nuk e përfitojnë ose/dhe e humbasin të drejtën e përfitimit të bursës, kur:
Janë ndarë nga trungu familjar
Familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private
Vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi
Shpallen mbetës dhe humbasin vitin shkollor, për arsye të rezultateve jokaluese

Kushtet ekonomike të nxënësit dhe studentit për dhënien e bursës
Përbërja familjare Bursa Gjysmëbursa Me pagesë
Për familjet me 2 persona Deri 3200 lekë 3200-4600 Mbi 4600
Për familjet me 3 persona Deri 3100 lekë 3100-4500 Mbi 4500
Për familjet me 4 persona Deri 3000 lekë 3000-4400 Mbi 4400
Për familjet me 5 persona Deri 2900 lekë 2900-4300 Mbi 4300
Për familjet me 6 persona Deri 2800 lekë 2800-4200 Mbi 4200
Për familjet me 7 persona Deri 2700 lekë 2700-4100 Mbi 4100
Për familjet me 8 persona Deri 2600 lekë 2600-4000 Mbi 4000

Shënim: Nxënësit dhe studentët nga fshati përfitojnë bursë, kur familja përfiton ndihmë ekonomike, në varësi të masës së kësaj ndihme, brenda planit të akorduar për secilën njësi të pushtetit vendor.

Niveli i bursës për nxënësit

Shkollat 9-vjeçare dhe të mesme
Bursa 6000
Gjysmëbursa 3000
Shkolla e Mjeshtërisë Sportive dhe nxënësit e arsimit special
Bursa 6500
Gjysmëbursa 3750
Nxënësit jetim
Bursa 6500

Niveli i bursës për studentët

Universitetet, Akademia e Arteve dhe shkollat e tjera të larta
Bursa 8500
Gjysmëbursa 4250
Akademia e Edukimit Fizik dhe Sporteve
Bursa 9000
Gjysmëbursa 4500

1 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›