E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akademia, në 7 shkurt kryetari i ri

 

Alma Mile

Zgjedhja e kryesisë së Akademisë së Shkencave do t'i japë fund procesit të reformimit të këtij institucioni. Dje, në një konferencë për shtyp, kryetari aktual i ASH, Teki Biçoku, shpalli hapjen e fushatës së zgjedhjeve për kryesinë e Akademisë, që do të thotë të kryetarit, zv/kryetarit, sekretarit shkencor dhe të kryetarëve të dy seksioneve të Akademisë. Sipas Biçokut, zgjedhjet do të zhvillohen në datën 7 shkurt në orën 10:00 në sallën e Bibliotekës së ASH-së. Procesi i votimit do të monitorohet nga komisioni i reformimit, që sipas kryetarit Biçoku, do të pushojë së funksionari me zgjedhjen e kryesisë. Në bazë të Ligjit 9655 "Për Akademinë e Shkencave", për postin e kryetarit të Akademisë kanë të drejtë të kandidojnë vetëm akademikët e rregullt dhe të përhershëm, ndërsa për postet e tjera, edhe 11 anëtarët e asociuar të ASH-së. Të gjithë të interesuarit mund të kandidojnë vetëm për një post dhe duhet të paraqesin kërkesën e tyre me shkrim për pozicionin përkatës, por edhe platformat mbi drejtimin dhe zhvillimin e Akademisë, deri në datën 17 janar. "Kryesia e përkohshme e Akademisë do të marrë të gjitha masat e nevojshme e do t'u krijojë mundësi të gjithë kandidatëve për të gjitha postet, që të paraqesin vizionin e tyre për zhvillimin e institucionit, përpara anëtarëve të Akademisë, mediave, publikut dhe në faqen e internetit të Akademisë. Nëse një kandidat dëshiron që ta paraqesë platformën e tij në një mbledhje të hapur, kryesia do të ndihmojë që të organizohet kjo veprimtari në mjediset e Akademisë", u shpreh Biçoku, ndërsa shton se edhe për këtë duhet një kërkesë me shkrim.
Mbërritja deri në këtë fazë përfundimtare nuk ka qenë e thjeshtë për Akademinë e Shkencave. Qysh në momentin që u deklarua reformimi i saj dhe shkëputja prej Akademisë së 13 instituteve, të cilat u atashuan pranë universiteteve, apo u grupuan në Qendrën Albanologjike, ka pasur reagime të forta, peticione, ndryshime legjislative etj. U duk sikur në këtë periudhë, Akademia nxori gjithë "dufin" e një gjumi të gjatë "letargjik", por që gjithsesi, gjithçka përfundoi ashtu siç propozoi komisioni reformator i ngritur nga qeveria dhe e drejtuar nga zv/kryeministri. Gjatë vitit që shkoi u zhvilluan 3 palë zgjedhje në Akademi. Fillimisht u zgjodhën 20 anëtarët e rregullt të Akademisë, prej të cilëve u "përjashtuan" të gjithë ata që kanë funksione të larta administrative e politike dhe që kanë mbushur moshën 75 vjeç. Sigurisht ky kufi moshe u vendos, nuk kaloi pa polemika. Shumë prej akademikëve që mbetën jashtë asamblesë, e quajtën këtë një akt të papranueshëm, i cili nuk ndodh në asnjë vend të botës. Por në të vërtetë, ata vazhdojnë të mbajnë titullin akademikë dhe marrin pension të posaçëm, në bazë të ligjit "Për Akademinë e Shkencave".
Më pas u zgjodhën 2 anëtarët e përhershëm, të cilët e kanë kaluar kufirin moshë. Ata janë kryetari i përkohshëm Teki Biçoku dhe Shaban Demiraj. Në datën 23 dhjetor u zgjodhën edhe 11 anëtarët e asociuar të Akademisë. Zgjedhjet e 7 shkurtit do t'i japin fund një 3-vjeçari debatesh dhe më në fund Akademia do të funksionojë sipas statutit të saj si një "institucion autonom, i cili e mbështet veprimtarinë në të vërtetën shkencore dhe në interesat kombëtare".

Mënyra e zgjedhjes së kryesisë

1. Kryetari i Akademisë përzgjidhet drejtpërdrejt me votim të fshehtë nga asambleja, nga radhët e anëtarëve të rregullt. Kryetar zgjidhet kandidati, i cili merr më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të asamblesë. Kryetari i zgjedhur nga asambleja emërohet nga Presidenti i Republikës.
2. Zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve përzgjidhen drejtpërdrejt me votim të fshehtë nga asambleja, nga radhët e anëtarëve të rregullt dhe të asociuar.         
3. Kohëzgjatja e mandatit të kryetarit dhe të zëvendëskryetarit është 4 vjet, ndërsa e sekretarit shkencor dhe e drejtuesve të seksioneve është 5 vjet. Në çdo rast, mandati i kryetarit, zëvendëskryetarit, sekretarit shkencor dhe drejtuesve të seksioneve mbaron me përfundimin e statusit të anëtarit të rregullt ose të asociuar.
4. Kryetari, zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të zgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate, por jo radhazi.

Ç'janë akademikët

Anëtarët e rregullt të Akademisë zgjidhen nga radhët e shkencëtarëve të shquar me titull "Profesor", me shtetësi shqiptare, të cilët, nëpërmjet punimeve origjinale, veprave përgjithësuese me një nivel të lartë shkencor, kanë zgjidhur teorikisht dhe praktikisht probleme të një rëndësie të veçantë në fushën e shkencës, të ekonomisë, të artit dhe të kulturës, si dhe kanë dhënë ndihmesë në formimin universitar e pasuniversitar të shkencëtarëve të rinj. Në raste të veçanta, anëtarë të rregullt të Akademisë mund të zgjidhen edhe personalitete, që kanë merita të shquara në fusha të ndryshme të krijimtarisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›