Korçë, shkëndija elektrike shkrumbon shtëpinë e emigrantit
KORÇE - Familja me katër anëtarë e Lulëzim Meçollit në komunën Bulgarec në Korçë mbeti në qiell të hapur, pasi shtëpia e tyre u shkrumbua. Sipas policisë, në fshatin Belorta, rreth orës 21:00 të së enjtes, një shkëndijë elektrike dogji banesën njëkatëshe. Megjithë përpjekjet e Meçollit bashkë me gruan dhe dy fëmijët e tij, pjesa më e madhe e shtëpisë u dogj. Për fat të mirë, asnjë nga pjesëtarët e familjes nuk pësoi lëndime, ndërsa gjithë pasuria e tyre shkoi dëm. Mësohet se Lulëzim Meçolli është emigrant në Greqi. Ai kishte ardhur për festat e fundvitit, ndërsa do të kthehej sërish në vendin e tij të punës për pak ditë. Sipas deponimit të tij, ai kishte brenda në shtëpi gjithë fitimet e një pune më shumë se 1-vjeçare në emigracion. Por ato u dogjën bashkë me orenditë. Nga hetimet paraprake rezultoi se shkak i zjarrit ishte një shkëndijë elektrike. Kryetari i Komunës, Artur Lisi shkoi në vendin e ngjarjes dhe u premtoi pjesëtarëve të kësaj familjeje se do të financojë ngritjen e çatisë së shtëpisë së djegur. Deri në ringritjen e shtëpisë kjo familje do të jetojë tek të afërmit e tyre. Zyra e emergjencave civile në Prefekturë, që dje filloi procedurat për dhënien e ndihmës të parashikuar nga ligji në raste fatkeqësish të tilla. j.gj