E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, të rinj të maskuar përleshen dhunshëm me policinë

 

Të rinj të maskuar janë përleshur dje me policinë në qendër të Athinës, duke sfiduar hapur forcën e kabinetit të ri të Karamanlisit, të betuar vetëm një ditë më parë. Një grup demonstruesish u shkëputën nga mijëra studentë që po protestonin në paqe mbi reformat në arsim të qeverisë dhe goditën me gurë policët në gatishmëri, të cilët menjëherë janë përgjigjur me gaz lotsjellës dhe granata ndriçuese. Sipas një dëshmitari që ka folur për "Associated Press", të paktën gjashtë demonstrues janë arrestuar. Ky tubim ishte i pari për këtë vit dhe i pari që kur kryeministri konservator Kostas Karamanlis miratoi një politikë më të ashpër për policinë kundër "një dhune katastrofike" të protestave mbarëkombëtare, që shpërthyen muajin e fundit nga vrasja e një 15-vjeçari nga policia më 6 dhjetor. Tubimi që u bë më pas i dhunshëm ishte një prej tri demonstratave të organizuara në kryeqytetin grek gjatë ditës së djeshme. Mes tyre ishte edhe një me 2000 protestues që dënonin sulmin e Izraelit në Gaza. Studentë dhe anëtarë të stafit akademik po ruanin ndërtesat rreth Politeknikut në Athinë për të frenuar përdorimin e universitetit, ku ndalohet me ligj hyrja e policisë dhe ushtrisë, si bazë anarkistësh. "Sapo protestuesit hyjnë në territorin e universitetit ekziston një rrezik i madh i lëndimit të studentëve dhe situata bëhet më e vështirë. Gjëja më e mirë do të ishte t'i ndalonim ata të hynin brenda", tha për AP, Konstantinos Moutzouris, rektori i Universitetit të Politeknikut. Protestat kanë ndezur frikën në të gjithë Greqinë se situata delikate mund të shfrytëzohet nga militantët ekstremistë të majtë. Zëvendësministri i brendshëm i ri, Christos Markoyiannakis, detyrat e të cilit përfshijnë mbikëqyrjen e policisë, ka premtuar një politikë me "tolerancë zero" për krimin. Dhuna në dhjetor la qindra dyqane dhe degë bankash të shkatërruara në të gjithë Greqinë dhe kjo ka shtuar presionin mbi qeverinë e Karamanlisit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›