E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria serbe fton në Beograd, akademikun Kapllan Resuli

 

Qeveria serbe i shtrin dorën e bashkëpunimit akademikut shqiptar Kapllan Resuli. Përmes një letre "ndjese", akademikut i kërkohet të kthehet në Beograd, duke premtuar një trajtim shumë më të denjë për të. Në një shkrim të gazetarit Savo Zmajeviç, në gazetën e Beogradit "Tabloid", që mban datën 25 dhjetor 2008, në emër të Qeverisë së Republikës së Serbisë, ministri për Diasporën, Srgjan Sreqkoviq, i ka dërguar një letër në zarf të mbyllur, ku pranon se trajtimi i tij i deritanishëm nga Qeveria e Republikës së Serbisë ka qenë "i gabuar" dhe se ka ardhur koha që ky trajtim të "ndryshojë qenësisht". Që të vendoset "mirëbesimi reciprok", ministri Sreqkoviq i shkruan se do të ndërmerret çdo gjë "vendosmërisht dhe me veprime konkrete". Duke e theksuar se ai i duhet Serbisë, ministri e thërret që të kthehet në Beograd. Gjithashtu, ai e thekson që kjo nuk është "një thirrje demagogjike apo gjoja patriotike", se diaspora prej rreth tre milionë njerëzish, prej të cilëve Serbia vitin e kaluar ka patur të ardhura financiare prej 4.9 miliardë dollarësh, është për të, një faktor i rëndësishëm ekonomik dhe politik. Por kjo nuk është oferta e parë që i bëhet Resulit. Vite më parë, ai ka pasur të tjera propozime, madje në poste të larta edhe nga Tirana e Ulqini.
Ndërsa ende nuk dihet se cila do të jetë përgjigja e Resulit, mësojmë se në vitin 1992, kryeministri i Shqipërisë, aso kohe,  Fatos Nano, ka shkuar në Gjenevë dhe publikisht, përpara gjithë të pranishmëve në një takim të shqiptarëve të diasporës, e ka ftuar akademikun Resuli që të kthehet në Tiranë, duke pranuar po ashtu se edhe ata kanë patur deri atëherë ndaj tij qëndrim "të gabuar", duke shtuar se në të vërtetë Resuli ka qenë dhe ka mbetur "qytetar konstruktiv", gjë për të cilën shkroi shtypi i asaj kohe. "Deri më sot akademiku Resuli nuk i është përgjigjur thirrjes së tij, edhe pse Fatos Nano është një prej atyre që personalisht e ka firmosur vendimin e Parlamentit Shqiptar për njohjen e pafajësisë të të dënuarve politikë në Shqipëri. Duket se akademiku ynë e ka parandier karakterin demagogjik të asaj thirrjeje", thotë Zmajeviq. Gazetari sjell edhe një tjetër shembull, atë të bashkëqytetarëve të Resulit, të cilët në bashkëpunim me autoritetet jugosllave, gjatë një vizite të akademikut në Ulqin në vitin 1993, i ofruan atij postin e presidentit të komunës, bile edhe që t'i ndërtojnë me kontribut vullnetar edhe një vilë në breg të detit. Sipas të njëjtit burim, Resuli nuk ka një shtëpi të tijën dhe se qiranë e banesës në të cilën ai jeton e paguan qeveria zvicerane, e cila e ka renditur atë në listën e nevojtarëve. Edhe aso kohe akademiku e refuzoi propozimin e ulqinakëve. Një tjetër tentativë për të "nxjerrë" atë nga Zvicra ishte posti i kryetarit të Shkencave të Shqipërisë, të cilin gjithashtu e ka refuzuar. 
Kapllan Resuli ka mbaruar arsimin e mesëm në Gjimnazin XV të Beogradit, në Lekino Brdo, dhe studimet i ka filluar në Fakultetin e Filozofisë të Beogradit. Ai ka qenë aty edhe në postin e kryeredaktorit të gazetës "ISKRA". Beogradi i ka dhënë edhe disa shpërblime për krijimtarinë e tij letrare, mes të tjerave edhe për poemën e tij disidente "Bojana". Resuli ka vuajtur dënimin në burgjet komuniste. Së fundi emri i tij përmendet për "sulmin" ndaj shkrimtarit Ismail Kadare, të cilin e ka cilësuar ndër të tjera edhe "serb".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›