E Diel, 1 Nëntor 2026

Izraeli dhe Hamasi sfidojnë OKB: Nuk i ndalim sulmet

 

Izraeli dhe Hamasi kanë shkelur dje rezolutën e sapo nënshkruar të Këshillit të Sigurimit, e cila kërkonte ndalimin e menjëhershëm të dhunës në Gaza dhe tërheqjen e trupave të Izraelit. Rezoluta iu bën thirrje vendeve anëtare të OKB-së që të intensifikojnë përpjekjet për të siguruar garanci në Gaza mbi respektimin një marrëveshjeje armëpushimi, përfshirë edhe trafikun ilegal të armëve dhe municioneve. Raketat e Hamasit vazhduan të binin në Izraelin jugor, dy javë pasi Izraeli filloi ofensivën kundër Gazës. Nga ana tjetër edhe autoritetet izraelite janë zotur se nuk do të ndërpresin konfliktin dhe do të vazhdojnë me ofensivën në Gaza, duke fajësuar për mosrespektimin e rezolutës, sulmet e Hamasit. Kryeministri izraelit, Ehud Olmert, tha se hedhja e raketave nga Hamasi në jug të Izraelit, tregon se rezoluta e miratuar në orët e para të mëngjesit të së premtes nga Këshilli i Sigurimit, nuk po funksionon. Olmert tha se "armata izraelite do të vazhdojë t'i mbrojë shtetasit e vet". Edhe nga Hamasi u dërguan sinjale, se nuk është i interesuar për rezolutën, pasi kjo lëvizje nuk ishte konsultuar me ta dhe se dokumenti nuk i plotëson kërkesat e Hamasit. Për miratimin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit votuan pro 14 vende anëtare, ndërsa Shtetet e Bashkuara abstenuan. "Ne nuk jemi duke e kufizuar veten tek iniciativa egjiptiane. Lëvizja e Hamasit është duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me partitë islamike dhe lojtarët me peshë si Turqia, Katari, Siria dhe të tjerë ndërkombëtarë", tha Abu-Zuhri, zëdhënës i Hamasit. Gjatë orëve të para të së premtes ka pasur 50 sulme me raketa nga Izraeli dhe kundërpërgjigje nga Gaza mbi Izrael. Autoritetet në Izrael thanë se helikopterë të tyre kishin goditur militantët që ishin duke u përpjekur të lëshonin raketa. Hamasi thotë se po studion dhe konsultohet për një armëpushim. Deri tani llogariten 780 palestinezë të vrarë dhe 13 izraelitë. Diplomacia ndërkombëtare vazhdon përpjekjet për fundin e konfliktit. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnmajer është drejtuar për në Lindjen e Mesme të premten për të negociuar mbi një armëpushim në Gaza. Ndërsa ministri i Jashtëm spanjoll, Miguel Angel Moratinos, ka planifikuar të vizitojë rajonin të hënën e ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›