E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrel, ndihma për familjet pa shtëpi

 

BURREL- Këshilli i Bashkisë në Burrel miratoi dje një ndihmë modeste për familjet, që humbën shtëpitë për shkak të zjarrit. Këshilltarët miratuan një fond prej 310 mijë lekësh për 31 banorë të familjeve të Skënder Murrës, Vladimir Murrës, Mit'hat Midha, Hike Fiqorri, Elsa Fiqorri, Mustafa Hoxha, Veli Bunga e Shaban Kaca. Në bazë të këtij vendimi, çdo banor i mbetur pa strehë do të përfitojë në formën e ndihmës ekonomike 10 mijë lekë. Po në këtë mbledhje i është kërkuar Këshillit të Qarkut Dibër të mundësojë dhënien e ndonjë ndihme për këto familje. Sipas bashkisë, këto familje janë ndihmuar edhe me ushqime dhe disa enë kuzhine. Vendorët sugjerojnë se për të strehuar këta banorë duhet të krijohet mundësia e ndërtimit të apartamenteve me kosto të ulët në zonën e parashikuar për ndërtim ose duke blerë në tregun e lirë banesa me kosto të ulët nëpërmjet fondeve të lëvruara nga ndihmat e kreditë me interes të ulët. Ndërkohë, familjarët shprehen se vazhdojnë të vuajnë mungesën e ushqimeve, të rrobave ndërsa janë të ekspozuar nga i ftohti i këtyre ditëve.                                                             h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›