E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akademia, tërhiqet Berisha

• Maxhoranca është tërhequr nga qëndrimi fillestar i saj lidhur me kriterin e moshës në reformën e Akademisë së Shkencave.Adi ShkëmbiKryeministri Sali Berisha tha dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, se përveç këtij kriteri, pra që në institutet që do të ngrihen do të jenë vetëm anëtarët nën 70 vjeç, së bashku me ata do të jenë edhe akademikët që kanë kontribut të madh në punën e tyre dhe që do të quhen akademikë të përhershëm. Duke folur në mbledhjen e radhës së grupit parlamentar, Kryeministri Berisha u shpreh se, "një ligj shumë i rëndësishëm është ligji për reformën e Akademisë së Shkencave. Pas konsultimeve të bëra, ky ligj do të ketë një modifikim. Shumica e vendeve kanë të përcaktuar moshën si kriter për akademikët, por krahas kësaj është e domosdoshme që të ketë edhe akademikë të përhershëm. Të tillë do të jenë njerëzit me kontribute të mëdha". Ndërkohë, burime nga qeveria bënë të ditur mbrëmë për gazetën se do të jetë pikërisht Akademia e Shkencave ajo që do të përcaktojë se cilët do të jenë anëtarë të përhershëm. Ndërkohë për sa i përket shpërblimit të akademikëve, Kryeministri Berisha tha se do të vazhdojë të funksionojë varianti i prillit të këtij viti, ndonëse i ngrirë nga Gjykata Kushtetuese, ku do të shpërblehen të gjithë akademikët, ata që janë akademikë nderi, akademikë në funksion apo të përhershëm. "Dua të qartësoj se askujt nuk i hiqet titulli akademik dhe trajtimi është identik, pa asnjë ndryshim, për sa i përket shpërblimit. Qeveria ka bërë një vendim në muajin prill, që është ngrirë për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por ai vendim do të qëndrojë, në të cilin qeveria merr përsipër të shpërblejë përjetësisht titullin akademik, pavarësisht në se ata janë akademikë nderi apo akademikë në funksion, apo të përhershëm. Titulli akademik është jashtë diskutimit që do të ketë shpërblim si titull. Në këtë rrafsh nuk cenohet asgjë", vijoi më tej Kryeministri Berisha. Ndërkohë, duke iu referuar formës aktuale të Akademisë, Kryeministri tha se me rrogë do të jenë kryetari i Akademisë, sekretari i përgjithshëm dhe funksionet që do të përcaktohen nga asambleja. "Ndërsa të tjerët, pa përjashtim, nderi, të përhershëm apo në funksion, ata do të kenë të njëjtin trajtim. Mendoj se ky ligj nuk ka ndonjë komplikim. Ai finalizon reformën në mënyrë përfundimtare dhe me vendosjen e akademikëve të përhershëm i jep zgjidhje edhe problemeve të lindura", vijoi më tej kreu i qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›