E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Të hënën votojmë për Bashën

• Brenda kësaj legjislature, Kuvendi do të votojë për heqjen e imunitetit të deputetit të PD-së, ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha.Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i paraqiti Këshillit të Rregullores, Mandateve e Imuniteteve projekt-raportin lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetit Lulzim Basha. "Sot do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare, e cila do të vendosë lidhur me kalendarin e dhjetëditëshit të fundit për  këtë sesion. Ndërkohë, ne kemi një çështje në dorë, të cilën kurrsesi nuk mund ta lëmë të kalojë në sesionin tjetër. Po kështu, kemi marrë një vendim dhe kemi shprehur një vullnet që brenda këtij sesioni duhet hequr imuniteti i z.Basha, ndaj unë ju paraqes sot një draft-raport për të cilin ju duhet të jepni mendimet tuaja", tha Topalli. Kryeparlamentarja tha se të hënën e ardhshme (24 dhjetor) ai do të votohet në seancë plenare". Përfaqësuesi i opozitës në Këshill, deputeti i PS-së, Petro Koçi, vlerësoi "vullnetin e qartë të shprehur nga znj. Topalli për heqje imuniteti". "Është një vullnet që duhet përshëndetur, por Prokurorja e Përgjithshme të mos ndryshojë prokurorët që e kanë hapur këtë çështje dhe vullneti i organit të akuzës të vazhdojë edhe në të ardhmen, sepse një nga stacionet e reja ku kalon rruga Durrës-Kukës është edhe Prokuroria e Përgjithshme", u shpreh deputeti Koçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›