E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akademitë e Evropës: Mos cenoni Akademinë Shqiptare

• Ligji i ri për Akademinë e Shkencave në vendin tonë ka shqetësuar edhe drejtuesit e homologëve të saj.Këshilli i Akademive të Evropës Juglindore, ku bëjnë pjesë Akademitë e Maqedonisë, Turqisë, Bosnjës, Serbisë, Rumanisë, Malit të Zi, Bullgarisë e Kosovës, ka nisur një letër në adresë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, kryetares së Kuvendit dhe Kryeministrit. Në të kërkohet gjetja e zgjidhjeve të tjera që nuk cenojnë autonominë e Akademisë si dhe theksohet fakti se në të gjithë botën çdokush që merr statusin e akademikut e ka atë përjetë. "Ne shpresojmë që Parlamenti të mos votojë ligjin e fundit për Akademinë, pasi prek autonominë e saj. Miratimi i këtij ligji do të ishte tepër i papëlqyeshëm për praktikat e përbashkëta evropiane", thuhet në letrën e Këshillit të Brendshëm të Akademive të Evropës Juglindore. Përpos kësaj, me anë të dy letrave të veçanta kanë shprehur mbështetjen e tyre edhe krerët e Akademisë së Kosovës dhe Bullgarisë. "Jemi të prekur veçanërisht kur dëgjojmë se qeveria juaj nuk e trajton shkencën si përparësi të dorës së parë, sepse ndoshta siç e dini, ne gjithashtu i kushtojmë një sasi të konsiderueshme kohe mbrojtjes dhe nxitjes së rëndësisë së shkencës te ligjvënësit tanë. Një shoqëri e shkolluar dhe shkencërisht prodhuese, përbën faktorin kyç për një ekonomi konkurruese", thuhet në letrën e dërguar nga Ivan Juchnovski, presidenti i Akademisë bullgare. Më tej, ai shpreh mbështetjen për homologen shqiptare si dhe shpreh besimin se në këtë moment kritik në të cilin gjendet ky institucion, do të gjejë mbështetjen maksimale në bashkësinë shkencore ndërkombëtare. Sakaq në letrën që kreu i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Rexhep Ismajli, i ka dërguar kryetares së Kuvendit, theksohet se anëtarët e Akademisë kudo në botë zgjidhen në bazë të meritave dhe të punës së tyre të mëhershme në fushën përkatëse, e cila nuk mund të (zh)vlerësohet retroaktivisht.                      z.ll

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›