E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çimentoja fut në sherr Kuvendin

• Për më shumë se dy orë, Parlamenti ka debatuar në lidhje me marrëveshjen e re koncesionare për ndërtimin e një kompleksi të prodhimit të fabrikës së çimentos në zonën e Fushë-Krujës.BLEDAR HOTIMarrëveshja e qeverisë me "Gener 2" ka një afat 99 vjet për shfrytëzimin. Opozita e kontestoi një pakt të tillë për shkak se mungon leja e ndërtimit të fabrikës së çimentos. Gjithashtu LSI theksoi se me këtë ndërtim rrezikohen zona turistike të Krujës dhe të Fushë-Krujës. Një numër i madh i deputetëve të opozitës parashtruan pyetjet për katër ministrat Lufter Xhuveli, Genc Ruli, Ylli Pango dhe Sokol Olldashi. Dhënia e kontratës për firmën "Gener 2", sipas socialistit Taulant Balla, është e dëmshme, pasi do të ketë pasoja negative në mjedis për zonën e Fushë-Krujës, që lidh Tiranën me Durrësin. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, deklaroi se "kjo marrëveshje koncesionare është dhënë pa marrë lejen e ndërtimit për fabrikën". "Me këto marrëveshje ju po shmangi konkurrencën e lirë", theksoi Braçe. Ndërsa ministri i Ekonomisë, Ruli, e hodhi poshtë qëndrimin e opozitës, se nuk ka "leje të ndërtimit të saj". "Nuk paraqitet leja e ndërtimit në Parlament", tha më pas Ruli. Për ministrin e Mjedisit, marrëveshja e realizuar është në përputhje me standardet e kërkuara. Por një gjë e tillë u hodh poshtë nga ana e socialistit Taulant Balla. "Nëse brenda kësaj zone të Fushë-Krujës me një rreze prej pesë kilometrash ndërtohen 4 miniera çimentoje, i bie që dy prej tyre të prishen kur të hyjmë në BE, pasi norma e lejuar është 500 kilometër katrorë", theksoi Balla.Debati Zogaj-BallaNë seancën e mbrëmshme një debat parlamentar përfshiu dy deputetët, Zogaj të PD-së dhe Ballën e PS-së. Shkak i kësaj ka qenë qëndrimi i Ballës në lidhje me konfliktin e interesit që ka Zogaj, sipas tij, për shtypshkronjën që ka në pronësi. "Ju duhet të jepni shpjegime Zogaj, sepse jeni në një konflikt interesi për shkak të kësaj shtypshkronje, që ia keni lënë në pronësi bashkëshortes. Nëse e mohoni këtë, duhet të mohoni edhe emrin çifteli", tha Balla. Kjo ka sjellë edhe reagimin e Zogajt, që, sipas tij, nuk është e vërtetë se zotëron aksione në këtë shtypshkronjë. "Unë i kam shitur aksionet e mia rreth 25%. Kam depozituar edhe letrën pranë Inspektoratit të Deklarimit të Pasurisë. Gjithçka është e pastër në dritë të diellit. Çështja është se ai vjen këtu dhe i paraqet problemet e zgjidhura. Pra, dikush po tallet me të dhe vjen e fyen tribunën e Parlamentit", theksoi Zogaj. Ai bëri të ditur se do të ballafaqohet me Ballën në gjykatë për shpifjet e ngritura dhe do të shpjegojë dhe interesat që mbron ky deputet. "Do të çoj në gjykatë nëse ti je gënjeshtar ordiner apo jam unë një gënjeshtar ordiner, le ta verifikojë Gjykata. Për sa i takon të shkuarës sime, unë kam bërë një gjyq publik të hapur dhe kam bërë transparencën. T'u vijë turp atyre që merren me këtë çështje", theksoi Zogaj.Reforma ZgjedhoreKuvendi përfshiu në axhendën e mbrëmshme votimin për shtyrjen e afatit të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore. Për të katërtën e herë, Kuvendi mori vendimin për shtyrjen e këtij afati, për shkak të mos realizimit të objektivave. Afati i këtij komisioni shtyhet në katër muaj dhe se drejtues pritet të jenë përsëri Kastriot Islami nga PS-ja dhe Ilir Rusmali nga ana e PD-së. Brenda këtyre katër muajve do të realizohet edhe përcaktimi i sistemit elektoral në vend.Katër bashkiKuvendi diskutoi edhe për ndarjen territoriale të re administrative, duke shtuar numrin e bashkive. Komuna Bushat, Milot, Paskuqan dhe Shëngjini propozohen nga ana e qeverisë që të kthehen në bashki. Kjo, sipas tyre, lidhet me një sërë faktorësh për të realizuar shndërrimin e komunave në bashki. Deputeti i PS-së, Bashkim Fino, u shpreh kundër krijimit të tyre në bashki, pasi mungon plani perspektiv i zhvillimit urban për këto zona, kjo sidomos për Paskuqanin dhe Bushatin.Ligji mbi TVSHKuvendi votoi me shumicë votash ligjin për "Tatimin mbi të ardhurat". Ministri Bode tha se përmirësimet që i bëhen  këtij ligji, janë një hap i rëndësishëm për mënjanimin e pabarazisë në konkurrencën e lirë në biznes. Biznesi i vogël do të paguajë, ashtu si çdo person tjetër i punësuar, 10 për qind mbi të ardhurat personale. Sipas tij, përmes këtyre ndryshimeve i jepen zgjidhje ankesave të biznesit të madh, se biznesi i vogël nuk merr fatura të blerjes së mallit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›