E Diel, 1 Nëntor 2026

Kane shfrytëzoi si prostitutë në Milano vajzën me të cilën u fejua

 

TIRANE - Gjetja fajtorë për trafikimin dhe shfrytëzimin si prostituta në Itali të disa vajzave u ka dhënë 38 vjet burg dy të rinjve nga Fieri, Arjan Kane dhe Fatmir Tahiraj. Në fakt është Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda, ajo që është treguar e ashpër në vendimin e saj, kur ka ngritur në 20 vjet burg dënimin për Kanen, nga 16 që kishte dhënë Fakti, ndërsa për bashkëpunëtorin e tij Tahiraj, togat e zeza kanë akorduar 18 vjet burg, nga 4 që kishte dhënë Shkalla e Parë. Sipas vendimeve të gjykatës, Kane dhe Tahiraj, pronarë të kompleksit sportiv në kryeqytet “A%F” dhe hotel “Europa” në Fier, kanë shfrytëzuar disa vajza në trotuaret e qyteteve italiane, fitimet e të cilave i kanë investuar në Shqipëri. Sipas vendimit të gjykatës, Kane ka trafikuar dhe më pas ka nxjerrë në rrugë vajzën me iniciale H.Xh., me të cilën ishte fejuar. Po kështu ai ka bërë të njëjtën gjë edhe me dy vajza të tjera, L.K. dhe M.D., të cilat gjithashtu e kishte dërguar në Itali duke u falsifikuar dokumentet e udhëtimit njëlloj si të fejuarës së vet. Por ndryshe nga Kane, bashkëpunëtori i tij Tahiraj u akuzua të kishte kryer falsifikimet e dokumenteve të vajzave dhe të pastronte paratë që këta fitonin nga shfrytëzimi i tyre në rrugë. Po kështu gjatë procesit gjykata ka administruar në seanca gjyqësore dëshmi dhe fakte që kanë të bëjnë me shfrytëzimin e disa vajzave të tjera nga të dënuarit, por që ka qenë e pamundur ngritja e akuzës për ta, pasi faktet kanë qenë të paplota. Bashkë me dënimin e Kanes dhe Tahirajt, gjykata ka vendosur edhe konfiskimin e kompleksit sportiv “A%F” në Tiranë dhe një autoveturë tip “Benz”, të cilat është vërtetuar se ishin rrjedhojë e fitimeve që ata kishin nxjerrë nga shfrytëzimi i vajzave në rrugë. Ndërsa mbrojtësit e të pandehurve nuk kanë arritur të vërtetonin para togave të zeza se klientët e tyre i kishin fituar në rrugë të ndershme apo me trashëgimi këto pasuri. Në vendimet gjyqësore pohohet se Kane, pasi ishte njohur me njërën nga vajzat, i kishte bërë asaj disa dhurata të shtrenjta dhe më pas i kishte kërkuar të fejoheshin. Pasi kishte zyrtarizuar lidhjen me të, ai i ka propozuar të shkonin në Itali ku do punonin së bashku, për të siguruar të ardhura me punë të ndershme, pasi ai kishte disa borxhe në bizneset e veta. Por sapo e ka dërguar në një qytet verior, e ka detyruar të dilte në rrugë. Madje sipas deklarimeve që kanë dhënë tre vajzat që kanë denoncuar biznesmenët e dënuar, ata, i bashkonin të dëmtuarat me vajza të tjera, që ushtronin prostitucion në mënyrë që t’i kontrollonin më mirë dhe t’iu merrnin fitimet.            f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›