E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kelmendi, atje ku dëbora të izolon gjashtë muaj

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Komuna me rreth 2 mijë banorë në Kelmend has me vështirësi për gjashtë muajt e vitit. Zona izolohet për shkak të bllokimit të rrugëve nga dëbora dhe banorët janë të detyruar të përballen me sfidat e motit. Në Vermosh mungon mjeku, ndërsa trashësia e dëborës nuk i lejon ata të bëjnë transport ushqimesh. Avaritë e dritave, për shkak të acarit përbëjnë një tjetër problematikë. Në gjithë zonën është vetëm një elektricist, të cilit nuk i mbetet kohë fizike për të ndjekur të gjitha defektet e shkaktuara. Këto, e shumë probleme të tjera të kësaj natyre, detyrojnë banorët të mbyllen brenda dhe të presin pranverën. Zakonisht ata marrin masa që në vjeshtë, në mënyrë që në periudhën e dimrit të jenë furnizuar, të paktën me ushqime dhe dru. Megjithëse rruga Tamarë - Vermosh është hapur dy ditë më parë nga bora e rënë këtë vit, pasiguria e banorëve për komunikimin me pjesën tjetër të vendit është e pranishme. Sapo të rifillojnë reshjet e dëborës, ata rrezikojnë sërish të mbesin të izoluar. Sipas kryetarit të komunës së Kelmendit, Ndue Lelçaj, një nga vështirësitë e banorëve të këtyre zonave është bllokimi i herëpashershëm i rrugëve nga dëbora e shpeshtë. “Situata në Komunën e Kelmendit varet në bllokimin ose jo të segmentit rrugor nga gropat e Selcës në Vermosh. Kjo është një zonë që bllokohet plotësisht për 6 muaj”, u shpreh kryekomunari. Ai thotë se një problem tjetër për 2 mijë banorët e kësaj zone është dhe mungesa e mjekëve në Vermosh. Duke qenë se zona izolohet, prania e mjekut është e domosdoshme. Aktualisht shërbimet mjekësore urgjente kryhen nga një infermier që jeton në fshatin Lëpushë, disa kilometra më larg. Ndërsa për mjek as që bëhet fjalë në këtë zonë. Për Vermoshin problem mbetet edhe pamundësia e furnizimit me ushqime, në rast bllokimesh të rrugëve. Kjo situatë mund të zgjidhet vetëm duke shfrytëzuar futjen e ushqimeve nga Mali i Zi. Por edhe kjo rrugëzgjidhje ka vështirësitë e veta. Segmenti rrugor nga Qendra e fshatit Vermosh, deri në pikën e kalimit kufitar të Bashkimit, rreth 4 km, akoma është e bllokuar nga dëbora dhe nga akulli. Qarkullimi i mjeteve nëpër të është pothuaj i pamundur. Banorët ankohen se dogana nuk i lejon ata të lëvizin me mallra pa paguar taksë. Vermoshi ndodhet në kufi me Plavën dhe Gucinë, zona këto të Malit të Zi. Sipas kryekomunarit të Kelmendit Lelçaj, nga Mali i Zi mund të merren furnizimet ushqimore për banorët, por nga dogana e Vermoshit nuk lejohet të kalojë asgjë. “Për doganën do të negociojmë me instanca shtetërore, që të lejohen të kalojnë mallrat ushqimore për zonën, pasi për shkak të rrugëve të bllokuara, nuk mund të zbresin poshtë në Koplik apo Shkodër për furnizim” u shpreh Lelçaj. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›