E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfime për një heroizëm modern: Ja si shpëtuam

 

Piloti në bordin e “U.S. Airways Flight 1549” u afrua në mikrofon dhe iu tha pasagjerëve: Përgatituni për përplasjen! Një nga pasagjerët ndezi celularin, kështu që trupi i tij mund të gjendej nëpërmjet GPS-së. Të gjithë ishin në panik për jetët e tyre. Të mbijetuarit tregojnë për CNN se rreth 20 sekonda më vonë avioni goditi ujërat e lumit Hudson, në mënyrën më komode të mundshme dhe të gjithë pasagjerët brohorisnin pilotin hero, Chesley B. “Sully” Sullenberger III. Sullenberger ishte pilot në “Air Force” në vitin 1980 dhe tani ka 40 vite eksperiencë në aviacion. 155 pasagjerët, të nisur nga aeroporti “LaGuardia”, kanë mbërritur shëndoshë e mirë në tokë. Vetëm 15 prej tyre po kurohen në spital për dëmtime të lehta. Një punonjës ka rrëfyer për CNN se piloti raportoi për një goditje të dyfishtë me zogjtë, por nuk ishte e qartë nëse goditja kishte ndodhur në të dy motorët apo vetëm në një. Fillimisht piloti tha se ai duhej të kthehej pas dhe kështu e këshilluan edhe nga qendra e kontrollit të trafikut ajror, por më pas ai mendoi se do të ishte më mirë të drejtohej në Teterboro, Nju Xhersi, pasi ishte më afër. Ky kishte qenë edhe komunikimi i fundit me pilotin. Burime të tjera për CNN tregojnë se piloti kishte vendosur të ulej mbi ujërat e lumit Hudson, pasi po të ulej në një pistë avionësh apo në tokë i trembej një impakti të fuqishëm që mund të provokonte edhe shpërthimin e mjetit fluturues. Një nga pasagjerët, Alberto Panero tha se brenda pak minutave pas nisjes ai kishte dëgjuar një goditje të fortë dhe kishte ndjerë erën e tymit. “Atëherë ne kuptuam se po binim në ujë. Eshtë e pabesueshme se si ne jemi ende gjallë”. Ndërsa pasagjeri Jeff Kolodjay tha se ai ishte ulur afër një prej motorëve. Pas komunikimit të kapitenit, “avioni filloi të mbushej shumë shpejt me ujë. Ishte shumë e frikshme”, tha ai. Pasagjerët dolën me qetësi jashtë avionit dhe qëndruan në krahun e tij duke pritur varkat e shpëtimit. Disa ranë në ujë, por pjesa më madhe as nuk u lagën. Policia, zjarrfikësit dhe varkat e Rojës Bregdetare shumë shpejt mbërritën në vendngjarje. Presidenti Bush përgëzoi njerëzit që ishin përfshirë në shpëtimin e pasagjerëve. “Laura dhe unë jemi të inspiruar nga aftësia dhe heroizmi i ekuipazhit dhe dedikimi i skuadrave të shpëtimit në ujërat e ftohta të Hudsonit”, tha ai. Hetuesit ndërkohë po marrin në pyetje pilotin Sullenberger dhe bashkë-pilotin e tij, të cilët ishin të aftë të ulnin shëndoshë e mirë 155 pasagjerët dhe ekuipazhin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›