E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxhetorët, borxhe tek Ujësjellësi

 

GJIROKASTER - Punonjësit e administratës shtetërore në Gjirokastër janë debitorë tek Ujësjellësi. Janë mbi 1 mijë familje në qytetin e Gjirokastrës, që kanë refuzuar në mënyrë permanente të paguajnë faturat e ujit, e cila nuk i kalon të 600 lekët në muaj. Sipas specialistëve të Ndërmarrjes së Ujësjellësit, dje ka filluar aksioni për ndërprerjen e furnizimit me ujë të 1100 debitorëve, të cilët rezultojnë me fatura të papaguara të ujit të pijshëm. E veçanta është se pjesa më e madhe e debitorëve i përkasin punonjësve të administratës shtetërore, çka është një precedent i rrallë. “Në fakt prisnim të kishim problem me mos pagimin e faturave të ujit nga familje me të ardhura të pakta ose nga ato familje që rrojnë me asistencë, mirëpo pjesa më e madhe e atyre që kanë refuzuar të paguajnë ujin e konsumuar janë të punësuar në ndërmarrjet shtetërore”, shprehet njëri prej specialistëve të Ujësjellësit. Sipas tyre, vlera e dëmit të kushtuar nga mospagimi i faturave të prapambetura, është disa milionë lekë, fonde këto që nevojiten për përmirësimin e rrjetit përcjellës të Ujësjellësit të Gjirokastrës. Edhe herët e kaluara drejtori i kësaj ndërmarrjeje, Dashmir Qeli, ka apeluar tek debitorët të paguajnë faturat e prapambetura. Nëse nuk do të ketë sërish reagim për pagesat e prapambetura, zgjidhja do të kërkohet nga drejtuesit e institucioneve ku punojnë buxhetorët për bllokimin e rrogave mujore. Mirëpo kjo do të realizohet me një bashkëpunim të mirëfilltë mes dy palëve. Ndërkohë që Ndërmarrja e Ujësjellësit, deri më sot, nuk ka penalizuar askënd nga debitorët për mosrespektimin e pagesave të faturave të ujit në organet e drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›