Ban Ki Mun, optimist për armëpushimin
Ndërsa sulmet e Izraelit në Gaza vazhdojnë, për herë të parë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun ka shfaqur shpresa për arritjen e shpejtë të armëpushimit. Sekretarja Amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs dhe Ministrja e Jashtme e Izraelit, Zipi Livni, kanë arritur një marrëveshje dje në Uashington për armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës. Bilanci i viktimave ndërkohë ka shkuar në 1140. Pas marrëveshjes me Livnin, Rajs tha se së shpejti do të arrihet armëpushimi, madje para se të inaugurohet Presidenti i ri, Barak Obama. Në marrëveshje thuhet se Izraeli do të nënshkruajë armëpushimin për Gazën, nëse SHBA garanton se Hamasi nuk do të ketë mundësi të riarmatoset. Ndërkohë Egjipti ka ftuar sërish Hamasin në Kajro për një raund të ri bisedimesh. Ndërsa i dërguari i izraelit, Amos Gilad, ka njoftuar se vendi i tij pretendon se armëpushimi nuk ka skandencë, ndërsa Hamasi kërkon ta limitojë armëpushimin në një vit dhe kërkon tërheqjen totale të pushtuesve. Lideri i Hamasit tha se kjo lëvizje nuk do t’i pranojë kushtet e Izraelit për armëpushim. Në Katar po zhvillohet një samit rajonal për Gazën. Presidenti i Sirisë, Bashar el Assad, u ka kërkuar vendeve arabe të mbyllin ambasadat e Izraelit në kryeqytetet e tyre, duke iu referuar Egjiptit dhe Jordanisë, dy vendet e vetme që kanë firmosur traktatet e paqes me Izraelin. Lideri i Hamasit, Khaled Meshal në samitin rajonal për Gazën, u bëri thirrje liderëve arabë që t’i ndërpresin të gjitha lidhjet me Izraelin. Katari dhe Mauritania kanë vendosur të ngrijnë marrëdhëniet politike dhe ekonomike me Izraelin, ndërsa ende vazhdon takimi i vendeve arabe në Doha. Katari dhe Mauritania kanë vendosur të ngrijnë marrëdhëniet politike dhe ekonomike me Izraelin, ndërsa ende vazhdon takimi vendeve arabe në Doha.