Akademik Jorgo Bulo boton për herë të parë veprën e plotë të Çajupit
Vepra e Çajupi botohet e plotë, duke respektuar vullnetin e fundit të autorit. Në përkujdesjen e prof. dr. Jorgo Bulos, akademik, për herë të parë kemi Çajupin integral, një nga shkrimtarët dhe poetët më interesantë shqiptarë, pjesë e fondit të artë të letërsisë shqipe. Vepra botohet nën siglën e Toenës dhe do të prezantohet në panairin e librit në Tiranë me anë të një promovimi special. Për aspektin teknik, gjuhësor, vepra mban firmën e Besa Vilës. Vetë Bulo do të shprehej në këtë mënyrë mbi Çajupin dhe veprën e tij: “Njerëzit, sipas një thënieje biblike, i ngjajnë kohës së tyre. Ata, me veprën e tyre, shprehin kohën në të cilën kanë jetuar. Edhe kur e tejkalojnë atë shprehin prirjen e kohës së tyre. A. Z. Çajupi, ndër të sprasmit shkrimtarë të Rilindjes dhe ndër të parët të erës moderne të letrave shqipe, është krijuesi që me veprën e tij, duke shprehur frymën dhe fytyrën e kohës së vet, i dha asaj edhe përmasën e së ardhshmes. Prandaj vepra e tij e shumanshme, si vepra e çdo krijuesi, nuk mund të kuptohet thjesht dhe vetëm si tekst, jashtë kontekstit historik e kulturor në të cilin u ngjiz”. Më tej Bulo shton: “Vepra e tij e parë poetike, që e bëri menjëherë të njohur, ishte ‘Baba Tomorri’, botuar në Kajro më 1902-shin. Faik Konica, i magjepsur nga freskia dhe thjeshtësia e vjershave të kësaj përmbledhjeje, shkroi po atë vit: ‘Na leu një vjershëtor!’ Dhe nuk gaboi. Poezisë shqipe i kishte ardhur një vjershëtor me zërin e tij të veçantë, me vizionin e tij të veçantë për jetën dhe me një ndjeshmëri të hollë për të pathënat e shpirtit njerëzor, me një gjuhë poetike që rridhte si këngët dhe ujët e burimeve të Zagorisë, e çliruar nga klishetë e ngurta, e mbrujtur me mallin e mëmëdheut dhe me mallin e dashurisë, përzier me erë trëndeline dhe me erë gjethesh. Por Konica kish pikasur dhe një përmasë të re në poezinë e Çajupit, frymën e humorit, shijen e veçantë që i jep gjuhës së tij ‘kripa e Vlorës’. Me ato pak fjalë që u shkruan në ‘Albania’ për Baba Tomorrin ishte thënë thuajse gjithçka për vjershëtorin që sapo kishte lindur, por që do të bëhej shpejt një nga më të mëdhenjtë e poezisë shqipe, bard popullor i Atdheut, poet i dashurisë, mjeshtër i fjalës së kripur me humor, mik i lirisë në kuptimin e gjerë të fjalës, një nga personalitetet e papërsëritshme të kulturës shqiptare”.
Sipas akademikut Bulo, Çajupi rinovoi një traditë letrare dhe krijoi një traditë të re. Vepra e Çajupit nuk është thjesht një hallkë që lidh epokën letrare të Rilindjes me atë që erdhi pas saj, por një faktor i progresit artistik të letërsisë shqiptare në fazën e kapërcimit nga romantizmi në realizëm, nga patosi afirmativ kombëtar e patriotik në patosin social kritik dhe ky ishte një hap i madh që e integronte letërsinë shqiptare në rrjedhat moderne të zhvillimit të saj. Ndërkaq, ai sjell në kujtesë se Kuteli do ta quante Çajupin “Mistrali i Shqipërisë”, sepse me të u shfaq në galerinë e poetëve shqiptarë profili i poetit popullor në kuptimin më autentik dhe më të gjerë të fjalës. Por, duke qenë një poet i madh popullor, Çajupi nuk mbeti as një poet folklorik, as një poet anakronik; përkundrazi, ai është një prej krijuesve më modernë e më të emancipuar të letrave shqipe.
P. GROSI
14 Nentor 2008