E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja nuk është fjala e fundit e Enver Gjerqekut



Agim VINCA
Enver Gjerqeku i takon grupit të parë të intelektualëve shqiptarë të pasluftës në Kosovë, asaj plejade krijuesish e intelektualësh, të cilët, në shumë fusha dhe sidomos në fushën e arsimit, të shkencës dhe të letërsisë, bënë punë prej pionieri. Ishte njëri nga pedagogët e parë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Prishtinë, të themeluar në vitin 1960, ku i kaloi më se 30 vjet të jetës dhe të punës së tij të frytshme (deri në pension). Për të gjithë ne që e kemi njohur nga afër dhe kemi punuar me të, Enver Gjerqeku do të mbetet në kujtesë si njeri i dashur, si intelektual i formuar, si profesor serioz dhe, mbi të gjitha, si poet i shquar. Kam pasur nderin që në fillim të karrierës sime universitare të jem asistent i lëndës Histori e letërsisë shqipe III - Realizmi, të cilën e ligjëronte profesor Gjerqeku dhe nga puna e përbashkët me të, pos shumë të tjerash, mbaj mend edhe një fjalë, të cilën ai e përsëriste shpesh para studentëve dhe të cilën edhe unë vazhdoj t’ua them studentëve të mi: “Ne dëshirojmë që në provim të shihemi vetëm një herë; në jetë më shumë herë”.
Enver Gjerqeku, Hasan Mekuli, Latif Berisha, Shefqet Pllana, Anton Çeta, nga ata që nuk janë më, profesor Gani Luboteni e të tjerët që vijnë pas, nga të gjallët, ishin pedagogë prej të cilëve studentët tanë, kryesisht me prejardhje fshatare, mund të mësonin jo vetëm dije, por edhe kulturë e mirësjellje. Në këtë kohë krize të sistemit arsimor dhe erozioni të vlerave në shoqëri, ata mund të shërbejnë, prandaj, për shumëçka si shëmbëlltyrë. I lindur dhe i rritur në qytetin rrëzë Çabratit, në Gjakovën e tij të dashur, ku e kaloi fëmijërinë dhe ku kreu shkollimin fillor e të mesëm, për të vazhduar shkollimin e lartë dhe atë pasuniversitar në Beograd, Enveri u dashurua që në rininë e hershme pas fjalës së bukur poetike, së cilës ia kushtoi pothuajse tërë jetën. Ai ishte mik i muzave dhe poet lirik par excellence. Kanë kaluar pesëdhjetë vjet nga koha kur Enver Gjerqeku botoi përmbledhjen e tij të parë me poezi, Gjurmët e jetës (1957) dhe nga ajo kohë e gjer më sot ai i mbeti besnik vokacionit të tij prej poeti, duke krijuar e botuar vazhdimisht, veçanërisht deri në fund të viteve tetëdhjetë të shekullit që lamë pas dhe duke lënë kështu, me veprat dhe personalitetin e tij poetik, gjurmë të thella në rrjedhat e poezisë bashkëkohore shqipe. Enver Gjerqeku në letrat shqipe është identifikuar dje, identifikohet sot dhe do të identifikohet, besojmë, edhe nesër, si krijues i sonetit a tingëllimës. Enver Gjerqeku është ndër të parët në letërsinë shqipe, në mos i pari, që e kultivoi edhe kurorën sonetike, tok me sonetin mjeshtëror a magjistralin.
Përveç poezisë së shkruar në formën fikse të sonetit, ku trajtoi tema, motive dhe ide të ndryshme, duke përfituar nga përvoja e sonetit shqip, por edhe e atij evropian e ballkanik, por pa e humbur lidhjen me truallin amtar dhe timbrin origjinal, Enver Gjerqeku e krijoi pothuajse në vazhdimësi edhe tipin e poezisë përkushtim. Rrjedhimisht, edhe numri i vjershave përkushtime është relativisht i madh në opusin krijues të Gjerqekut. Ai portretizoi në vargje figura të shquara të historisë dhe të kulturës shqiptare, si Skënderbeu, Moisi Golemi, Naim Frashëri, Çajupi, Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Lasgush Poradeci, Migjeni, Esad Mekuli, Hivzi Sulejmani e shumë të tjerë. Përveç si poet, ku u tregua posaçërisht i frytshëm, Enver Gjerqeku dha ndihmesë edhe si përkthyes veprash letrare, kryesisht nga letërsitë e popujve të ish-Jugosllavisë, por edhe nga letërsitë e tjera të botës (Tagora, Neruda, Sen-Xhon Pers), punë kjo të cilën ai e konsideronte si urë afrimi e komunikimi mes popujve e kulturave.

14 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›