INSTAT: Çmimet e konsumit në shtator 2008 janë rritur me 1.1 për qind
Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin shtator 2008 arriti 101.3 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007, duke shënuar një rritje prej 1.1 përqindësh krahasuar me muajin e kaluar. Ndryshimi vjetor në muajin shtator është 2.7 për qind, ndërsa një vit më parë ky ndryshim ishte 4.4 për qind. Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një rritje 2.1 për qind, me një ndikim prej 0.8 përqindësh në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 7.2 përqindësh vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të kastravecave me 33.4 për qind, bamjeve me 28.7 për qind, patëllxhanëve me 22.3 për qind, domateve me 21.2 për qind, barbunjave me 11.8 për qind etj. Indeksi në nëngrupin ”fruta” shënoi një ulje 0.7 për qind, ku mund të përmendim uljen e çmimit të rrushit me 10.2 për qind, mollëve me 3.9 për qind, bananeve me 3.2 për qind, limonëve me 2.8 për qind etj. Gjatë muajit shtator çmimet janë rritur pothuajse në të gjitha nëngrupet e tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupet, ”mish” 2.9 për qind, “bukë e drithëra” 2.5 për qind, “qumësht, djathë e vezë” 1.3 për qind, ”vajra dhe yndyra” 0.9 për qind etj. Indeksi i grupit “veshje dhe këpucë” shënoi një rritje prej 0.3 përqindësh, me një ndikim prej 0.01 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Indeksi i grupit “pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje 1.3 për qind, brenda të cilit çmimi i duhanit u rrit me 2.0 për qind. Indeksi i grupit ”transport” shënoi një ulje prej 0.5 përqindësh. Gjatë muajit shtator çmimi i naftës shënoi një ulje 3.3 për qind dhe çmimi i benzinës një ulje prej 2.8 përqindësh. Indeksi i grupit ”komunikim” shënoi një ulje prej 9.1 përqindësh, ulje kjo e shkaktuar kryesisht nga ulja e tarifave të telefonisë celulare me 13.4 për qind. Indeksi i grupit “argëtim dhe kulturë” shënoi një rritje 10.2 për qind, me një ndikim prej 0.3 përqindësh në totalin e ndryshimit mujor. Kjo rritje ka ardhur si rezultat i rritjes së çmimit të teksteve shkollore në masën 73 për qind.
30 Tetor 2008