E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, ndryshon përzgjedhja e deputetëve

07/01/2005  Ndryshimi i procedurave për zgjedhjen e kandidatëve për deputet në Kuvendin e Shqipërisë të Partisë Socialiste do të jetë një pjesë e rëndësishme e debatit të Kongresit të 29 janarit të kësaj partie. Burime në PS konfirmojnë për "Metropol" se ndryshimet në statut do të përqëndrohen në procedurat që do të ndiqen për të përzgjedhur kandidatët për deputet në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. Ky vendim është argumentuar me rritjen e standardeve të figurave të përfaqësimit. Propozimi i bërë nga kryetari i PS-së, Fatos Nano, që "përzgjedhja e kandidaturave për deputetë të bëhet në bazë të zbatimit të demokracisë së drejtpërdrejtë" solli krijimin e strukturës më të re në politikën socialiste, duke vënë në punë Komitetet Zonale Elektorale. Hartimi i listës së kandidatëve nga KZE-të do të sjellë ndryshimin e domosdoshëm të statutit të PS-së. Duke përcaktuar kritere shumë rigoroze, korrekte dhe përzgjedhëse, gjithashtu socialistët pretendojnë të shmangin nga kandidimi figura problematike, që kanë krijuar kosto dhe nuk kanë qenë në parametrat e nevojshëm aktivë. Burimet thanë se "do të shmangen dhe ato figura, të cilat nuk kanë qenë në sinkron me premtimet që i kanë bërë elektoratit". Pas ndryshimeve rënjësore që pësoi statuti i kësaj partie në kongresin e 12 dhjetorit 2003, tashmë një grup pune po punon sërish për të ndyrshime të tjera. Andikapet e ndryshme si hierarkia në parti dhe çështje që kanë të bëjnë më veprimin më dinamik të strukturave për një bashkëpunim më të mirë të tyre, do të jenë pjesë e debateve dhe shqyrtimit të grupit të punës. Ndërkohë që raporti përfundimtar do të paraqitet në Kongres për të marrë një miratim nga kjo strukturë e partisë.

Komitetet Zonale Elektorale

Në kongresin jozgjedhor të 29 janarit do të shqyrtohet dhe çështja e Komiteteve Zonale Elektorale. Pas debatit që solli në KPD ideja për krijimin e kësaj strukture të re, duket se do jetë kongresi që do të vërë pikat mbi "i". Përplasjet për kompetencat në përcaktimin e listës së kandidatëve për deputetë në bazë të parimit "një anëtar, një votë" mes KZE-ve dhe kryesive të degëve të PS-së në rrethe, duket se ka sjellë një hendek mes forumeve socialiste. Ndaj dhe është kërkuar ndërhyrja e Kongresit. Ndërkohë që pjesë e platformës së kongresit do të jetë dhe miratimi i një strategjie efikase për fushatën elektorale. Grupi i punës për hartimin e kësaj strategjie po synon që pikat kryesore të strategjisë të jenë sa më të prekshme nga elektorati dhe fushata të bazohet në atë se çfarë ka realizuar PS-ja gjatë qeverisjes dhe çfarë probleme shtrohen në të ardhmen për t'u zgjidhur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›