E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Opozita te tragjedia, qeveria në Dubai

07/01/2005  Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha dje në emisionin "Shqip", se opozita nuk mund të koordinonte me qeverinë për të ndihmuar vendet aziatike, sepse në atë kohë opozita ndodhej në Tiranë, kurse qeveria ishte në kazinotë e Dubait. "Përshëndes Kryqin e Kuq Shqiptar, shoqërinë civile, dhe lëvizjen "Mjaft", që iu përgjigjën thirrjes për të ndihmuar viktimat e Tsunamit në Azinë Juglindore. Opozita dhe qeveria nuk mund të kishin një solidaritet për këtë çështje, pasi në atë kohë opozita ndodhej në Tiranë, ndërsa qeveria në kazinotë e Dubait", tha Berisha. Në fjalën e tij, lideri demokrat nuk la pa komentuar dhe prezencën e drejtorit të Doganave, Shpëtim Idrizi, gjatë kohës që Kryeministri kalonte pushimet në Dubai. "Se çfarë e lidh Shpëtim Idrizin dhe Fatos Nanon, përveç parave të pista dhe aferave korruptive, unë nuk e di", tha kryetari i PD-së. Berisha u shpreh se thirrja e PD-së, për të ndihmuar viktimat në Azinë e largët mund të ishte bërë më parë, por opozita, sipas tij, ka pritur që këtë thirrje ta bëjë qeveria. "Për hir të së vërtetës, dua të them se thirrja për të ndihmuar vendet aziatike mund të ishte bërë më shpejt, por kjo qeveri kompleksohet nga çdo nismë e opozitës, se i duket si qeveri paralele. Kur pamë se qeveria nuk po luante as gishtin për të ndihmuar sadopak ata njerëz në këtë tragjedi biblike, atëherë e pamë të udhës që t'u bëjmë thirrje shqiptarëve dhe organizatave në vend që të ndihmojnë ata njerëz në këtë fatkeqësi", përfundoi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›