Drejtorët e shkollave, gjashtë standardet për t’u certifikuar
Në kriteret e reja të emërimeve, kërkohen njohuri themelore nga ligje të rëndësishme të vendit, si Kushtetuta. MASH miraton programin e zhvillimit profesional për kualifikimin e drejtorëve të institucioneve arsimore dhe standardet e drejtorit. Trajnimet do të bëhen pranë agjencive të akredituara ose universiteteve, si do të bëhet vlerësimi
Jonida Tashi
Diploma e mësuesisë do të jetë vetëm një dokument zyrtar, për t’u njohur si i diplomuar në fushën e arsimit, por jo më kusht themelor për të qenë në strukturat drejtuese të institucioneve të arsimit parauniversitar. Tashmë edhe vetë autoritetet e arsimit janë të bindura se drejtimi dhe menaxhimi i institucionit arsimor nuk mund t’i lihet më rastësisë. Ndaj kërkohet që drejtori i institucionit të ngrihet profesionalisht në nivelin e ekspertit të drejtimit dhe menaxhimit. Gjatë viteve të fundit janë identifikuar qartë pikat e forta e të dobëta të drejtorëve dhe nëpërmjet standardeve të reja të drejtorit është materializuar drejtori që kërkohet nga shoqëria sot. Këto standarde kërkojnë plotësimin e kritereve të reja për të qenë drejtues apo nëndrejtues gjimnazi, shkolle 9-vjeçare, kopshti apo çerdhe, dhe kjo do të thotë shkollë nga e para për ata arsimtarë që aspirojnë të bëhen drejtues, por edhe për ata që e kanë tashmë një vend të tillë, i cili nuk është më i sigurt. Ndaj, arsimtarët që synojnë të bëhen drejtues duhet të kenë njohuri të mjaftueshme mbi disa ligje të rëndësishme të vendit që kanë të bëjnë drejtpërdrejt a tërthorazi me institucionin, si dhe të jenë në gjendje të sjellin shembuj të zbatimit të tyre në shkollë. Kështu, një nga standardet që kërkohen për drejtorët është se ata duhet të kenë njohuri themelore për dokumente, si: Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Karta Europiane e të Drejtave të Njeriut, Konventa e të Drejtave të Fëmijëve, Ligji i Sistemit Arsimor Parauniversitar, Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Kodi i Punës (nenet që lidhen drejtpërdrejt me përgjegjësinë e drejtorit); Kontrata Kolektive etj. Për të gjitha këto arsye, Ministria e Arsimit ka miratuar së fundi “Programin e zhvillimit profesional për kualifikimin e drejtorëve të institucioneve arsimore në arsimin parauniversitar”, ku përcaktohen edhe standardet që duhet të plotësohen për t’u certifikuar. MASH sqaron se programi i zhvillimit profesional për kualifikimin e drejtorëve (shkollat e kopshtet publike ose private) është hartuar në bazë të rregullores nr. 7170/1, datë 22.11.2010 “Për kualifikimin e drejtuesve të institucioneve arsimore” dhe bazohet në standardet drejtorit të shkollës. Sipas MASH-it, drejtorët dhe mësuesit, që aspirojnë të kryejnë detyrën e drejtorit të një institucioni arsimor do të sigurojnë certifikatën e drejtorit nëpërmjet trajnimeve sipas këtij programi dhe një provimi përfundimtar mbi këtë program. Më konkretisht, programi përbëhet nga gjashtë module, secili prej tyre do të ketë nga 3 kredite, dhe çdo modul përshkruhet nëpërmjet termave të tij. Në fakt, këto 6 module përmbajnë pikat e po kaq standardeve që duhet të përmbushin drejtorët e institucioneve arsimore. Modulet e programit të kualifikimit të drejtorëve mund të zhvillohen vetëm nga agjenci trajnuese/universitete të cilat janë akredituar nga Komisioni i Akreditimit të Programeve të Trajnimit që është ngritur me urdhër të ministrit të Arsimit, por megjithëkëtë, agjencia trajnuese/universiteti i akredituar nuk lejohet të ndryshojë temat e moduleve. Ndërkaq, përgatitja për provimin përfundimtar të kualifikimit do të sigurohet po nga agjencia trajnuese/universiteti dhe puna e pavarur studimore e pjesëmarrësve në trajnim. Në fund, vlerësimi pjesëmarrësve do të dokumentohet me anë të certifikatës që agjencitë/universitetet, të cilat do të angazhohen në përmbushje të programit, do t’u lëshojnë personave të përfshirë. Kërkohet që certifikata të dokumentojë në orë pune dhe në kredite, angazhimin e çdo pjesëmarrësi në përmbushje të kërkesave të këtij programi.
Drejtorët dhe mësuesit që aspirojnë të kryejnë detyrën e drejtorit të një institucioni arsimor, do të sigurojnë certifikatën e drejtorit nëpërmjet trajnimeve sipas këtij programi dhe një provimi përfundimtar.
18 kredite është vlerësimi total për 6 modulet e programit të zhvillimit profesional të drejtorëve, ku secili ka nga 3 kredite.
Gjashtë standardet e drejtorit
Standardet e drejtorit të një institucioni arsimor përshkruajnë çfarë një drejtor duhet të dijë e të jetë në gjendje të bëjë dhe vlerat etike e të sjelljes që duhet të
demonstrojë gjatë punës së tij. Mbi këto standarde, gjithashtu bazohet certifikimi i
drejtorëve. Dokumenti “Standardet e drejtorit” portretizon drejtorin e suksesshëm nëpërmjet gjashtë standardeve dhe treguesve përkatës. Këto standarde dhe treguesit e tyre nuk mund të jenë të ndara prerazi nga njëri-tjetri, por duhen shikuar si një e tërë e integruar.
Standardi I
Teoritë kryesore dhe praktikat e drejtimit dhe të menaxhimit të institucioneve arsimore. Drejtori ka njohuritë themelore dhe demonstron aftësi për të drejtuar e menaxhuar institucionin arsimor.
Standardi II
Legjislacioni për drejtimin dhe menaxhimin e institucionit.
Drejtori ka njohuritë e mjaftueshme për të drejtuar e menaxhuar institucionin arsimor në përputhje me legjislacionin, dokumentet themelore zyrtare dhe sipas teorive e praktikave bashkëkohore.
Standardi III
Drejtuesi si lider i zhvillimit pedagogjik dhe i menaxhimit të kurrikulës.
Drejtori, në bashkëpunim me mësuesit, nxënësit dhe prindërit e tyre, drejtori menaxhon hartimin dhe zbatimin e një kurrikule që siguron zhvillimin optimal të potencialit të çdo nxënësi. Drejtori krijon një organizatë koherente profesionale me mësuesit, e cila synon arsimim cilësor për çdo nxënës.
Standardi IV
Planifikimi i zhvillimit të institucionit.
Drejtori harton dhe menaxhon zbatimin e planeve për zhvillimin e institucionit në
bashkëpunim me personelin e institucionit, nxënësit dhe prindërit e tyre që kanë në
qendër arritjet e nxënësve.
Standardi V
Bashkëpunimi me përfaqësues të komunitetit të institucionit dhe me partnerë qeveritarë a joqeveritarë.
Drejtori bashkëpunon me përfaqësues të komunitetit të institucionit dhe me partnerë
qeveritarë a joqeveritarë për të siguruar një shërbim cilësor për të gjithë nxënësit.
Standardi VI
Komunikimi, etika.
Drejtori demonstron besime, vlera, qëndrime dhe aftësi, të cilat mundësojnë një shërbim cilësor të institucionit për çdo nxënës.
Si mund të vetëvlerësohet drejtori
Vetëvlerësimi bëhet me katër nivele dhe secilit nivel i takon një numër i caktuar pikësh. Këto nivele dhe pikët përkatëse janë: Shumë mirë, 4 pikë; Mirë, 3 pikë; Mjaftueshëm, 2 pikë; Dobët, 1 pikë. Drejtori mund të vlerësojë veten për një bllok treguesish, si për shembull, për aftësitë e tij të komunikimit, ose vetëm për një standard ose bën një vlerësim tërësor të tij, për të gjashtë standardet. Nëse drejtori është i interesuar në mënyrë të veçantë të kuptojë se sa i aftë është në komunikim, plotëson tabelën e mëposhtme për secilin tregues të këtij blloku. Pastaj gjen shumën e pikëve. Këtë shumë e pjesëton me numrin e treguesve dhe rezultatin e rrumbullakos me një shifër pas presjes.
Treguesi vlerësimi pikët
1.Komunikon hapur, qartë, në mënyrë bindëse dhe Mirë 3
frymëzuese, si me shkrim edhe me gojë, në mënyrë
formale edhe informale me personelin e institucionit,
nxënësit, prindërit e tyre dhe përfaqësuesit e
institucioneve zyrtare.
2. Përdor mjetet e komunikimit elektronik gjatë Mirë 3
komunikimit.
3. Inkurajon komunikimin e hapur dhe krijon në Mjaftueshëm 2
institucion një frymë të komunikimit të hapur e të
lirshëm.
Shuma e pikëve 8
Mesatarja e pikëve 8:3=2,66 ... (2,7)
Kur kjo mesatare është 1 deri në më pak se 1,8, atëherë komunikimi është “dobët” .
Mesatarja nga 1,8 deri në më pak se 2,5 tregon komunikim të mjaftueshëm. Komunikimi është “mirë” kur mesatarja e pikëve është nga 2,5 deri në më pak se 3,3, kurse mbi 3,3 është “shumë mirë”. Në shembullin e mësipërm, drejtori e ka “mirë” bllokun e komunikimit. Në të njëjtën mënyrë mund të llogaritet mesatarja e pikëve për një standard, duke marrë një për një të gjithë treguesit. Mesatarja e pikëve për të gjashtë standardet nxjerr vetëvlerësimin tërësor.