E Diel, 1 Nëntor 2026

Akciza fikse, importuesit ia faturojnë konsumatorëve

06/02/2009  Çmimi do të ndryshojë sipas bursës

Vendimi për vendosjen e akcizës fikse 37 lekë sipas importuesve është një hap i nevojshëm për rregullimin e tregut të karburanteve. Importuesit komentojnë të drejtë vendimin që mori Qeveria për të ndryshuar nivelin, duke u shprehur se ky vendim do të jetë në favor të konsumatorëve në raste të caktuara, por do të varet gjithnjë nga niveli i çmimeve në bursat ndërkombëtare. Sa i përket fitimeve të kompanive nuk do të ndryshojnë, sepse këtë diferencë do ta paguajë konsumatori. “Si teknikë është e drejtë që akciza do të jetë fikse. Edhe TVSH-ja po të jetë fikse është më e thjeshtë sepse nafta llogaritet që kur hyn nafta në treg. Edhe për ne është mirë dhe eliminohen keqkuptimet, thashethemet. Kjo për konsumatorin ndikon në momentin që varion bursa ndërkombëtare e naftës”, - thekson Viktor Nushi. Aktualisht në tregun vendas janë 8 kompani importuese të rregullta të karburanteve, ndërsa konsumi vjetor është rreth 420 mijë tonë. Pritet që efekti i këtij vendimi të rrisë me 6 lekë çmimin për një litër naftë, ndërsa çmimi i benzinës do të jetë më i shtrenjtë. Ndërsa shtetit do të jetë përfituesi kryesor, pasi efekti i këtij vendimi pritet të sjellë rreth 2 miliardë lekë më shumë në buxhetin e këtij viti. Përjashtohen nga akcizat importimi i nënprodukteve të naftës, për nevojat e veta, nga subjektet e kërkimit të naftës dhe të vënies në shfrytëzim të zonave naftëmbajtëse. Po kështu, përjashtohet nga akciza sasia e karburantit, që përdoret për mekanikën bujqësore, serat me ngrohje, si dhe subjektet, që kanë kaldaja në linjat e përpunimit të qumështit. Përcaktimi i sasisë së karburantit dhe skema e përdorimit të tij bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe udhëzim të përbashkët të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›