E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Nuk përfshihej Kosova, e papranueshme

06/02/2009  Samiti i Beogradit për integrimin në BE

Shqipëria nuk ka mbështetur deklaratën e drejtuesve të shteteve të Europës Juglindore për integrimin e rajonit në BE, pasi Kosova nuk përfshihej në këtë dokument. Takimi i zhvilluar tri ditë më parë në Beograd ka përfunduar me hartimin e një deklarate të përbashkët, ku kërkohej që procesi i integrimit europian i vendeve të rajonit të kthehej në prioritetin e axhendës së BE-së. Shqipëria përfaqësohej në këtë takim nga ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, e cila propozoi që në deklaratë të përfshihej edhe kërkesa për përfundimin e shpejtë të studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit midis BE-së dhe Kosovës. Mospërfshirja e Kosovës në deklaratën përfundimtare ka bërë që delegacioni shqiptar të mos i jepte mbështetje variantit të propozuar. Ministrja Bregu thekson se realiteti i ri i krijuar në rajon me shpalljen e pavarësisë së Kosovës nuk mund të anashkalohet. "Nuk mund të mbështetim një deklaratë që nuk përfshin Kosovën, në asnjë lloj rrethane", - tha ministrja Bregu. Sipas saj, në tryezë është vlerësuar fryma e bashkëpunimit rajonal si dhe rëndësia e madhe që ka për Shqipërinë përshpejtimi i procesit të integrimit europian. Por Bregu sqaron se nuk u ra dakord në miratimin e deklaratës, duke theksuar se konfigurimi i ri i Ballkanit si dhe perspektiva europiane e Kosovës nuk mund të neglizhohet. Në takimin e zhvilluar në Beograd ishin të pranishëm përfaqësues nga Serbia, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›