Akcizat, në 5 muaj zhduken 1.75 miliardë lekë
Të ardhurat që Doganat Shqiptare kanë realizuar nga vjelja e mallrave të akcizës janë rreth 1.75 miliardë lekë më pak se plani. Kjo gjë lidhet me periudhën aktuale kur tregu po përballet me rritje të forta të çmimeve, që kanë prekur edhe mallrat e akcizës. Sipas të dhënave më të fundit zyrtare nga Ministria e Financave, për 5 muajt e parë të vitit qeveria ka mbledhur në buxhet nga zhdoganimi i mallrave “të fortë” rreth 12 miliardë lekë nga 13.75 miliardë që kishte parashikuar për t‘u mbledhur gjatë kësaj kohe. Si përqindje masa e realizimit të të ardhurave nga akciza është rreth 87.3 për qind e planit për 5-mujorin. Ndikimin më të madh në mosrealizim duket se e ka dhënë zhdoganimi i karburanteve. Të dhënat e fundit zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, që i përkasin katërmujorit të parë të vitit, tregojnë se për këtë periudhë janë zhdoganuar gati 700 tonë më pak karburante. Por nën parashikimet janë edhe mallrat e tjera të akcizës. Ky mosrealizim ndodh në një kohë kur, norma e akcizës për disa nga mallrat, është rritur krahasuar me një vit më parë. Kështu qeveria ndërmori disa muaj më parë një rritje me 4 lekë për litër të akcizës së karburanteve, por rritje pati edhe për pijet alkoolike. Paralelisht me këtë edhe çmimet e produkteve të akcizës kanë pasur rritje si pasojë e situatës inflacioniste që po kalon ekonomia botërore. Për gjithë këtë vit qeveria ka parashikuar të arkëtojë në buxhet nga zhdoganimi i mallrave të akcizës rreth 38.4 miliardë lekë, nga 27.6 miliardë që kishte parashikuar për të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave në 5 muaj është realizuar për këtë vit pak më shumë se 31 për qind e planit dhe mbetet për t‘u realizuar edhe gati 70 për qind. Qeveria mendon se mund të mbledhë më shumë në pjesën e dytë të vitit. Përgjithësisht kjo ka ndodhur me të gjitha llojet e taksave, ku për gjysmën e parë të vitit planifikohen më pak të ardhura se sa në gjysmën e dytë.
28 Qershor 2008