E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Qeveria, shkaktare e çmimit të lartë të naftës në vend”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka akuzuar qeverinë “Berisha” se ka dështuar të menaxhojë krizën e rritjes së çmimit të naftës. Këtë deklaratë kryetari i PS-së e ka bërë gjatë turit “Dialog me Shqipërinë” të zhvilluar në rrethin e Lezhës. Kreu i selisë rozë është takuar me banorë të fshatrave Zejmen, Trashan, Dajç e Ishull Lezhë, me të cilët ka bashkëbiseduar për çështjet dhe problemet që shqetësojnë fshatarët në ditët e sotme. Rama ka deklaruar se bujqit dhe fermerët meritojnë më tepër vëmendje dhe mbështetje nga shteti. Por ai akuzoi qeverinë “Berisha” se ka neglizhuar në këtë drejtim dhe si të mos mjaftonte kjo, si rezultat i paaftësisë së saj ka dështuar që të mos e klasifikojë Shqipërinë si vendi me çmimin më të lartë të naftës në rajon.
“Por mes nesh dhe fqinjëve tanë, Shqipëria është i vetmi vend në këtë pellg që ka naftë, megjithatë nafta në Shqipëri kushton me shtrenjtë se në të gjitha këto vende. Pra, përveç rritjes së përbotshme të çmimit të naftës, ka dhe një rritje tjetër, që është rritja që vjen prej papërgjegjshmërisë, paaftësisë korrupsionit që ka mbërthyer Shqipërinë nëpërmjet politikës së vjetër që ka mbërthyer Shqipërinë nëpërmjet politikanëve që kanë vetëm një zanat, të gënjejnë dhe të rrëmbejnë”, - tha Rama.

PS: Qeveria i ka ngarkuar shqiptarët me taksa e tatime

Partia Socialiste akuzon kryeministrin Berisha se jo vetëm që ka mashtruar shqiptarët, kur ka thënë se Shqipëria është vendi me taksat më të ulëta në Europë, por ka rënduar ekonominë e tyre duke i detyruar që të paguajnë sa më shumë taksa dhe tatime.
“Kryeministri gënjen hapur për rritjen e të ardhurave nga lufta ndaj korrupsionit dhe evazionit. Prej javësh kryeministri i vendit po endet nëpër Shqipëri duke u treguar shqiptarëve se si nga lufta kundër korrupsionit dhe kontrabandës ka mbledhur miliarda më shumë me të cilat po bën rritje të paparë të pagave dhe pensioneve. Sot duam të sjellim në vëmendjen e shqiptarëve të vërtetën lidhur me Shqipërinë, që nuk është vendi me taksa më të ulëta në Europë. Gjithë premtimet e bujshme për ulje taksash në korrik 2005 bien poshtë me shifrat kokëforte të rritjes së tyre”, - tha sekretari për Programin në PS, Ilir Beqja.

Prifti: “Qeveria abuzon me koncesionet për hidrocentralet”

Nënkryetari dhe deputeti i LSI—së, Dritan Prifti, e ka akuzuar qeverinë se po pengon dhënien e koncesioneve për ndërtimin e hidrocentraleve, të cilat do të përbënin edhe një pikë të rëndësishme për zgjidhjen e krizës energjetike në Shqipëri. Prifti tha se qeveria ka zmbrapsur rreth 100 kërkesa nga ana e investitorëve seriozë, ndërkohë që ka miratuar vetëm 10 kërkesa për dhënie koncesionesh, të cilat kanë qenë kërkesa të bëra nga të afërm të anëtarëve të kabinetit qeveritar. “Është e pafalshme që Shqipëria ka kaq shumë burime energjetike dhe burimet energjetike nuk shfrytëzohen. Nga mbi 100 kërkesa janë dhënë nga qeveria vetëm 10 koncesione deri tani dhe po t’i analizosh edhe këto 10 koncesione që janë dhënë, u janë dhënë njerëzve që janë pranë Kryeministrit apo pranë qeveritarëve. Dhe këto licenca janë dhënë për t’u rishitur dhe nuk janë dhënë për të filluar rindërtimi apo puna në këto hidrocentrale”, - tha deputeti i LSI-së, Dritan Prifti.

28 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›