E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Rregullores miraton pa opozitën platformën e PD-së



Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve vendosi të miratojë pa praninë e opozitës propozimet e Partisë Demokratike për të ndryshuar rregulloren e Kuvendit lidhur me procedurat e miratimit të dekreteve të Presidentit për emërimet e rëndësishme në institucionet kushtetuese ose të krijuara me ligj. Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura. Në të mungonin përfaqësuesit e opozitës, përveç kryetarit të PAD-së, Neritan Ceka, i cili nuk dha asnjë koment pas mbledhjes. Në këtë mbledhje u vendos miratimi i propozimeve të deputetit të PD-së, Fatos Beja, propozime të cilat fuqizojnë rolin dhe kompetencat e Kuvendit, nëpërmjet Komisionit të Ligjeve, në shqyrtimin e kandidaturave të paraqitura Kuvendi. Konkretisht në këtë platformë Kuvendit i garantohet e drejta për të marrë informacion nga institucionet shtetërore para shqyrtimit dhe miratimit në Kuvend të kandidaturave. “Në mënyrë që të mos përsëriten më që kandidaturat që nuk plotësojnë kriteret ligjore të futen në procedura, Këshilli ra dakord që byroja juridike të formulojë ligjërisht propozimet e bëra për t’ia kaluar seancës së radhës”, - tha përfaqësuesi i PD-së në Këshillin e Rregullores, Ilir Bano. Edhe Partia Socialiste ka depozituar platformën e propozimeve të saj për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, e cila do të shqyrtohet edhe ajo nga Këshilli i Mandateve.

28 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›