E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti shtesë i qeverisë, dështon miratimi brenda afatit të premtuar

Mosmiratimi rrezikon kryerjen e investimeve në kohë

Ervin Koçi

Mungesa e fondeve të duhura për të planifikuar buxhetin shtesë ka bërë që Ministria e Financave të heshtë përballë faktit që nuk ka mundësi për të përgatitur buxhetin shtesë. Premtimi i qeverisë për të rritur pagat dhe pensionet për gjashtë muajt e dytë të vitit 2008, rrezikon që të mos kryhet brenda afateve. Ngadalësimi i hartimit të buxhetit shtesë cenon dhe shpërndarjen e fondeve, duke dhënë shenjat e para për një mosrealizim të plotë të investimeve sipas planit të Ministrisë së Financave. Aktualisht jemi në javën e fundit të muajit qershor dhe qeveria duhet t‘i kishte të përgatitura tabelat me shpenzime, si për investimet e reja që do të kryhen ashtu dhe për rritjen e pagave, ndërsa shtesat e pensioneve u bënë publike vetëm javën e kaluar. Mosrealizimi në kohë i projektbuxhetit shtesë lidhet me procedurat ligjore që duhet të kalojë drafti, i cili kërkon të paktën një muaj kohë. Edhe në kalendarin e Kuvendit nuk parashikohet miratimi i buxhetit shtesë për faktin se ai nuk ka kaluar ende në qeveri, megjithëse fundi i muajit qershor është shumë pranë. Pas kësaj vjen 1 korriku, ku pensionistëve dhe buxhetorëve u është premtuar rritje të pensionit dhe pagës pikërisht në këtë periudhë, veprim ky i domosdoshëm nisur nga rritja alarmante e çmimeve. Por nëse pensionistët e mësuan rritjen që do të përfitojnë, buxhetorët nuk e kanë ende të qartë masën e rritjes, edhe pse nga drejtues të Financave është deklaruar për një shkallë deri në 25 për qind.

Diskutimi në Kuvend

Nëse qeveria e miraton buxhetin shtesë brenda kësaj jave, e cila përkon me fundin e muajit qershor, drafti duhet të kalojë më pas te komisionet përkatëse parlamentare, të cilat diskutojnë për nivelin e shpenzimeve shtesë që do të kryhen për pjesën e mbetur të vitit. Pas kësaj, projektbuxheti shkon për votim në Kuvend, i cili nëse merr votat e mjaftueshme, kalon për dekretim te Presidenti. Ky i fundit ka afat 10 ditë për të dekretuar ligjin e buxhetit, e më pas botohet në Fletoren Zyrtare, e cila bën të mundur zbatimin e buxhetit pas 15 ditëve. Nisur nga ky skenar i mundshëm, buxheti shtesë, i cili mendohet të jetë të paktën 150 milionë dollarë, ka shanse të jetë gati në gusht, madje rreziku ekziston të hyjë në fuqi në fund të muajit shtator, pasi Kuvendi kryen një muaj pushime.

Rreziku i dështimit

Në fakt kjo nuk është hera e parë që buxheti shtesë nuk miratohet brenda afateve të premtuara nga politika. Vonesa në zbatimin e tij rrezikon të sjellë efekte negative për ekonominë, në pikëpamjen makroekonomike. Konkretisht, përveç 150 milionë dollarëve që do të hidhen shtesë për 5 muajt e fundit të vitit, kemi dhe rreth 50 milionë dollarë të tjera për pagat dhe pensionet, të cilat të dyja bashkë mund të cenojnë rëndë nivelin e inflacionit. Gjithë këto para që do të hidhen në qarkullim do të rrisin kërkesën për konsum, e si rrjedhojë, në mënyrë të pashmangshme dhe çmimet. Në këtë pikë, qeveria nuk do të arrijë të përmbushë detyrimin e saj në zbatimin me sukses të politikave sociale, ndërsa ekonomia nuk do të thithë të gjithë shumën e investimit shtesë që do të kryhet, pasi periudha e kalimit të fondeve për projektet infrastrukturore, do të përkojë me muajin shtator, kohë me klimë të lagësht që pengon zhvillimin e investimeve. Për këta të fundit, rezultatet nuk janë pozitive, pasi në 4 muajt e parë të 2008-s, realizimi vjetor nuk kishte prekur 10 përqindëshin.

Dështimi i punëve publike

Investimet publike për 5 muajt e parë të vitit 2008, nuk u rezultuan sipas planit të vendosur nga Ministria e Financave. Kjo e fundit, në buletinin e radhës të statistikave, konfirmonte ngërçin e krijuar te realizimi i investimeve, ku për periudhën janar-maj 2008, rezultuan 32 për qind më pak se plani. E shprehur me shifra, rreth 8 miliardë lekë më pak para të hedhura për ndërtime rrugësh, shkolla, spitale etj. Konkretisht, investimet me fonde të buxhetit të shtetit për 5-mujorin e parë regjistruan nivelin e 21 për qind ose 830 milionë lekë më pak, ndërsa investimet me financim të huaj, rezultuan në realizim 54 për qind ose rreth 7 miliardë lekë më pak. Të dhënat për financimet e huaja duken paradoksale, por qeveria në planin e saj për këtë vit ka marrjen e sa më shumë kredive të huaja, për mbështetjen e projekteve, kryesisht rrugore.

28 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›