Borxhi i jashtëm, interesat “i hanë” qeverisë 3.4 milionë euro
Banka e Shqipërisë raporton për një rënie në bilancin e të ardhurave. Sipas të dhënave, Shqipëria gjatë 3-mujorit të parë ka paguar 3.4 milionë euro për të shlyer interesat mbi borxhin e saj të jashtëm, një rritje e lehtë me 0.2 milionë euro. Rënia e bilancit të të ardhurave është vlerësuar me rreth 30.8 milionë euro, shifër kjo 42 për qind më e ulët se ajo e tremujorit të parë të vitit 2007. “Kjo rënie reflektohet në të dyja kategoritë e të ardhurave, ato nga puna dhe nga investimet respektivisht me 52 për qind dhe 36 për qind”, vlerësojnë ekspertët e Bankës së Shqipërisë. Sipas tyre, të ardhurat nga investimet zënë rreth 58 për qind të bilancit pozitiv të të ardhurave dhe vlerësohen me një suficit prej 18 milionë eurosh. “Fluksi i të ardhurave hyrëse përfaqësohet kryesisht nga interesat e përftuara prej rezervave valutore të sistemit bankar, ndërsa fluksi dalës përfaqësohet kryesisht nga interesat e borxhit të jashtëm”, thanë ekspertët. Sipas tyre, rritja e detyrimeve financiare këtë tremujor i dedikohet kryesisht flukseve hyrëse të kapitalit në formën e investimeve të huaja direkte, të investimeve afatshkurtra në sektorin bankar si dhe huamarrjes afatgjatë të sektorit shtetëror. “Fluksi i investimeve të huaja direkt regjistroi rreth 119 milionë euro. Duhet përmendur që këtë fillimviti, kanë qenë flukset hyrëse të kapitalit në sektorin financiar dhe në atë të komunikacionit, që kanë luajtur rolin kryesor në këto investime, pasuar nga industria përpunuese”, theksuan ekspertët. Lëvrimet e kredive afatgjata dhe atyre të buta nga jashtë, mbeten faktor i rëndësishëm në rritjen e borxhit të jashtëm. “Këto lëvrime vlerësohen 20.3 milionë euro, nga të cilat 81% kanë shkuar për sektorin e Qeverisë dhe atë publik. Kjo rritje ka financuar kryesisht investimet në infrastrukturë, e reflektuar kjo edhe në rritjen e importeve të mallrave kapitalë”, thuhet në raportin e BSH-së. Shërbimet e borxhit të jashtëm, në formën e pagesave të principalit dhe të interesit vlerësohen në rreth 12.9 milionë euro të barasvlershme me 6.2 për qind të eksportit të mallrave.
28 Qershor 2008