E Shtunë, 31 Tetor 2026

Romano Prodi në Tiranë: “Perspektiva e Shqipërisë, integrimi në BE”



Ish-kryeministri i Italisë, Romano Prodi, ishte i pranishëm dje në Tiranë, ku mori pjesë në konferencën me temë “Zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit Perëndimor dhe integrimi i Shqipërisë”. Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë Prodi e cilësoi situatën ku ndodhet Shqipëria si më të favorshmen për hyrjen në BE, krahasuar me situatën e vendeve fqinje, Serbinë apo Bosnjë-Hercegovinën. Duke folur për politikat e zgjerimit të BE-së, Prodi shprehu mendimin nuk mund të ketë paqe në Europë nëse në të nuk do të përfshihen dhe vende të tjera. “Ky unifikim i Europës duhet të ndodhë jo për një kohë të shumë të gjatë, pasi shtyrja në kohë do ta bënte më të vështirë realizimin e këtij qëllimi. Shqipëria paraqitet homogjene për të hyrë në Europë, ndërkohë që në Samitin e fundit të Aleancës ajo mori ftesën për anëtarësim në të, ndërkohë që BE-ja dhe NATO-ja janë dy organizata të lidhura mes tyre”, - theksoi politikani italian. E pranishme në këtë takim ishte dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ish-kryeministri italian ka zhvilluar dje dhe një takim me presidentin shqiptar, Bamir Topi.

Ndoka pret përfaqësues të Unionit Demokristian të Italisë

Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, priti dje në selinë e Partisë Demokristiane një delegacion të Unionit Demokristian të Italisë të kryesuar nga Luigi Baruffi. Gjatë takimit Ndoka i informoi demokristianët italianë për historikun e Partisë Demokristianë të Shqipërisë, për arritjet e kësaj partie në këto vite, për rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit vendore dhe për kontributin që kjo parti po jep në qeverisjen e vendit, në kryerjen e reformave dhe në nxitjen e proceseve integruese. Më tej kryetari i PDK-së tha se shqiptarët kanë qenë dhe do t’i jenë përjetë mirënjohës Italisë dhe qytetarëve të saj për ndihmën e madhe që i kanë dhënë popullit tonë në momentet e vështira të përmbysjes së diktaturës dhe gjatë gjithë këtyre viteve, kur ne përjetuam një tranzicion të dhimbshëm dhe me shumë probleme. Baruffi dhe përfaqësuesit e tjerë të UDC-së mbështetën plotësisht qëndrimet politike të PDK-së dhe garantuan Ndokën se PDK-ja do të ketë mbështetjen e vazhdueshme të UDC-së në përpjekjet e saj për konsolidimin e demokracisë në Shqipëri dhe për integrimin e saj në strukturat e euroatlantike. Bartuffi deklaroi se UDC-ja do të mbështetë PDK-në në fushatën e ardhshme elektorale politikisht dhe me ekspertët e saj. Ai theksoi se shkëmbimi eksperiencës politike midis dy partive do të afrojë edhe më shumë dhe do të garantojë suksesin tonë të përbashkët.

28 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›