Akoma asnjë ndërhyrje nga ministria
Banorët e lagjes "Mangalem" në qytetin e Beratit ndihen të rrezikuar nga shkëputja e masivëve shkëmborë. Tre muaj më parë, në këtë lagje, një shkëmb i madh u rrokullis duke shembur pjesërisht një banesë. Pas kësaj situate u shpall gjendja emergjente dhe nga specialistë të shumtë u kërkua një ndërhyrje sa më e shpejtë, për shmangien e rasteve të ngjashme. E ndërkohë që procedurat sipas drejtuesve vendorë janë kryer në kohë rekord, ende nuk është marrë asnjë masë nga Ministria e Brendshme për të ndërhyrë në masivin shkëmbor, mbi të cilin ndërtohen banesat e lagjes "Mangalem". Sipas specialistëve, ka ende disa masivë të tjerë shkëmbor të cilët rrezikojnë të shkëputen nga çasti në çast. Pikërisht nga këto deklarime dhe kontaktimet e vetë qytetarëve, këta të fundit kanë filluar të përjetojnë një panik të vërtetë. Qytetarë të ndryshëm shprehen se herë pas here ka pasur shkëputje të pjesëve shkëmborë, të cilët kanë dëmtuar jo vetëm banesat, por dhe banorë të lagjes. Me ndërhyrjet e bëra pas viteve 1960 u duk se gjithçka ishte zgjidhur, por pak vite më parë, kur litarët e çelikut te shkëmbinjtë e lidhur nisën të kalben si pasojë e agjentëve atmosferikë, doli sërish në pah problemi dhe u ndie e nevojshme një ndërhyrje tjetër. Në lidhje me këtë problem, burime nga Drejtoria e Emergjencave pranë Bashkisë së Beratit bëjnë të ditur se çështja është emergjente dhe nga ana e kësaj zyre janë përcjellë të gjitha praktikat pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave, por ende nuk ka ndonjë veprim konkret. I pyetur rreth këtij problemi, kryetari i bashkisë, Fadil Nasufi, është shprehur se situata është me të vërtetë emergjente dhe se për rastin në fjalë janë zhvilluar disa kontakte në Ministrinë e Brendshme dhe Drejtorinë e Emergjencave Civile, ku është premtuar një studim i gjithë pjesës shkëmbore dhe ndërhyrja për eliminimin e pjesëve në rrezik.
Mi.H.
Mi.H.