E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Basha, përgëzime nga homologët në Europë

Krimi i organizuar dhe veprimtaritë e tjera të paligjshme, me të cilat përballen agjencitë e zbatimit të ligjit, ka qenë tema e diskutimit të ministrit të Brendshëm me ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar dhe atë të Francës. Diskutimi është bërë në dy takime të ndryshme që ministri Lulzim Basha ka pasur dje. Ai priti në takime të veçanta ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona Mcilwham dhe ambasadoren e Francës, Maryse Daviet. Në këto takime, ministri Basha bashkëbisedoi me ambasadoret Mcilwham dhe Daviet edhe mbi bashkëpunimin e deritanishëm mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar e Francës edhe për perspektivën e afërt të proceseve integruese të Shqipërisë dhe për ecurinë e përmbushjes së kritereve për përfitimin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian. Ambasadorja Mcilwham i dorëzoi ministrit Basha letrën përshëndetëse të ministrit të Brendshëm britanik, z. Alan Johnson, i cili pasi i përcjell përgëzimet e tij për emërimin në detyrën e ministrit të Brendshëm, thekson se Mbretëria e Bashkuar e vlerëson Shqipërinë si partnere në luftën kundër krimit të organizuar dhe deklaron gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit kundër kriminalitetit në të dyja vendet. Ambasadorja Daviet gjithashtu dorëzoi në takim letrën përshëndetëse të ministrit të Brendshëm të Francës, z. Brice Hortefeux, i cili përgëzon ministrin Basha për marrjen e detyrës dhe siguron për perspektivën e ndërtimit të një bashkëpunimi sa më të frytshëm mes të dyja vendeve. B. G.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›