E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni, arrestohet kreu i hipotekave në Vlorë

Kreu i hipotekës në qytetin e Vlorës ka përfunduar në prangat e policisë, pasi akuzohet për shpërdorim detyre. Arrestimi i Edmond Banushit është bërë dje në Tiranë, teksa ishte në vëzhgim nga një grup i operacioneve speciale të policisë së qytetit bregdetar. Uniformat blu janë ndihmuar edhe nga oficerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë për të vënë në pranga Edmond Banushin, i cili dyshohet për shpërdorim detyre dhe mbivendosje pronash në qarkun e Vlorës. Madje, pavarësisht se është pjesë e strukturave të Partisë Demokratike, emri i tij është përfolur që në kohën kur Rusmajli ishte ministër i Drejtësisë, i cili kërkoi me ngulm shkarkimin e Banushit. Ai arriti të mbijetojë deri dje, kur u kap teksa qëndronte në një lokal me miqtë e tij pranë hipotekës në Tiranë.

Sipas të dhënave policore, prej disa muajsh, Banushi mbahej nën vëzhgim. Ditën e djeshme, ai po vëzhgohej në Tiranë nga një grup i posaçëm i policisë së Vlorës, në bashkëpunim edhe me sektorin e operacioneve speciale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ndërsa në orët e drekës është dhënë urdhri i prokurorisë që të ndërhyhet dhe të bëhet arrestimi. Pikërisht rreth orës 16:00, ai ka qenë duke qëndruar në një lokal pranë zyrës së hipotekës në Tiranë, kur brenda kanë hyrë befas disa persona me maska dhe me logon "Policia". Menjëherë, ata janë drejtuar tek Banushi, i cili nuk ka kundërshtuar shoqërimin dhe më pas arrestimin. Të gjithë kanë mbetur të shtangur, ndërkohë që makinat e policisë janë nisur me shpejtësi drejt dhomave të paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ai është dërguar në qeli, ku i është komunikuar edhe akuza e "shpërdorimit të detyrës". Burimet policore shpjegojnë se gjithë veprimet hetimore janë kryer nga oficerët e policisë së Vlorës, pasi edhe arrestimi i tij është bërë për llogari të prokurorisë së këtij qarku. Por, nuk është transportuar drejt paraburgimit të Vlorës, duke u mbajtur në kryeqytet.

Sipas të dhënave hetimore, Drejtori i Pasurive të Paluajtshme në Vlorë, Edmond Banushi, njëkohësisht edhe kryetar i shpronësimeve, u emërua në këtë detyrë pas shkarkimit të paraardhësit, Devi Tushe, i cili u akuzua për shpërdorim detyre dhe u dënua nga gjykata e shkallës së parë me tre vjet burg. Në vitin 2008, Banushi u akuzua nga KLSH-ja për shpërdorim detyre. Në raportin e kontrollit të lartë të shtetit thuhej se drejtori i Hipotekës kishte bërë shkelje në regjistrimin e një sipërfaqeje toke në Ujin e Ftohtë. Ndërkohë, dhjetëra qytetarë janë ankuar për mbivendosje pronash në vendin ku u ndërtua rruga Transballkanike, ku pati probleme të mëdha me verifikimin e pronave, që sollën edhe zvarritjen e punimeve. Gjithsesi, policia e Vlorës nuk ka dhënë dje zyrtarisht asnjë detaj në lidhje me arrestimin e drejtorit të ZRPP-së, por është mjaftuar vetëm me konfirmimin e arrestimit në Tiranë dhe faktin që ai akuzohet për shpërdorim detyre.

Qytetarët e Vlorës ishin ankuar edhe për topografët, juristët e punonjës të tjerë. "Kërkesa ime për pajisjen me certifikatë pronësie është kryer prej disa javësh dhe për këtë kam paraqitur vërtetimin e pronësisë", kështu ka nisur të shprehet në atë kohë një banor i lagjes "Hajro Çakërri", ndërsa ishte paraqitur si zakonisht në ditën e caktuar. "Ndërsa prisja në radhën e gjatë dhe krejt të zakonshme të këtij institucioni, ndryshe nga institucionet e tjera, përgjigja e juristit ishte vetëm se kjo nuk mund të kryhet për arsye të mungesës së dosjes të kësaj familjeje në këtë institucion" ka treguar 60-vjeçari. "Në dosjen tuaj është vetëm një fletushkë, pasi kanë humbur për arsye të azhurnimit të zonës dhe ju duhet të kryeni dokumentacionin nga e para", kjo ishte përgjigja e juristit apo topografit të këtij institucioni, përgjigje që lëshohej për 2000 "hallexhinj" vlonjatë. Të gjitha këto mendohet se kanë sjellë arrestimin e Banushit, ndërkohë që sot do të saktësohet zyrtarisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›