E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia rrugore, "gestapo" për respektimin e rregullave

Edhe dje ka vazhduar "lufta e ashpër" e policisë së Tiranës me drejtuesit e mjeteve, të cilët shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, veprim i cili është kërkuar të respektohet me rigorozitet, me qëllim parandalimin e aksidenteve. "Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë do të vazhdojë kontrollet edhe në ditët në vijim, ndaj atyre drejtuesve të mjeteve të cilët janë debitorë në shlyerjen e detyrimeve të tyre, dhe i fton ata të paraqiten pranë çdo dege të Postës Shqiptare", thuhet në njoftimin për shtyp. Më tej citohet se kontrolle dhe masa ndëshkuese janë ndërmarrë ditën e djeshme, ku janë pezulluar për mosshlyerje të detyrimeve 615 leje qarkullimi të mjeteve dhe janë bllokuar 52 automjete ndaj atyre drejtuesve të cilët nuk kanë shlyer detyrimet që rrjedhin nga kundërvajtjet administrative. Pas shlyerjes së detyrimeve, 32 drejtues mjetesh u janë rikthyer automjetet, ndërsa 16 automjete aktualisht ndodhen të bllokuara në Komisariatin e Policisë Rrugore, deri në shlyerjen e detyrimeve të tyre. Sa më sipër, nga 615 leje qarkullimi të pezulluara, 230 drejtues mjetesh shlyen detyrimet e tyre, ndërkohë që janë ende të pezulluara 335 leje qarkullimi. Nga shlyerja e detyrimeve që rrjedhin nga kundërvajtjet administrative, u arkëtuan nga Posta Shqiptare 2150 masa administrative të likuiduara nga drejtuesit e mjeteve. "Theksojmë se shërbimet e Policisë së Tiranës do të vazhdojnë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore", citohet në njoftimin për shtyp. Kështu, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve dhe parkimet e gabuara. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës. Vetëm ditën e djeshme në Qarkun e Tiranës nga shërbimet e policisë janë konstatuar dhe vendosur 2155 masa administrative, me vlerë 19672500 lekë. Ndërkaq, numri i lejeve të drejtimit ka ardhur në rritje nga dita në ditë, ku vetëm dje janë shënuar 23 raste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›