Piu detergjent nga depresioni, shpëton nga vdekja 20-vjeçarja
Një e re u paraqit dje në mjediset e Spitalit Ushtarak të Tiranës me simptomat e helmimit. 20-vjeçarja me inicialet A. T., lindur në Gramsh dhe banuese në Durrës, u dërgua për t’u mjekuar në spital dhe pas disa orësh bluzat e bardha konfirmuan se ajo ndodhej jashtë rrezikut për jetën. E dëmtuara tha para uniformave blu se dje pasdite e ndodhur e vetme në banesë ajo ka kaluar në depresioni prej gjendjes së rëndë ekonomike dhe ka konsumuar detergjent për larjen e rrobave me qëllim për t’i dhënë fund jetës. U kryen veprimet e para procedurale për t’i kaluar prokurorisë së Durrësit.
Durrës
Arrestohet shoferi, i ra pasagjerja nga makina
Forcat e policisë së Durrësit kanë arrestuar në flagrancë 31-vjeçarin Agim Gjeta, lindur në Mirditë dhe banues në Durrës. Sipas të dhënave policore, arrestimi i tij është bërë pasi duke udhëtuar me mjetin e tij “Fiat Punto” me targe BOT 04651 së bashku me pasagjeren Lumturie C, 27-vjeç, u konstatua se ajo ka rënë nga automjeti. Aktualisht bëhet me dijeni se ajo ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Durrësit. Materialet e para hetimore i kaluan prokurorisë së Durrësit për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtimi i mjetit pa dëshmi aftësie”.
Lezhë
Ikën nga shtëpia 15-vjeçarja, prindërit denoncojnë në polici
Një e mitur, e cila është larguar pa dijeninë e prindërve nga shtëpia, ka vënë në alarm uniformat blu të Lezhës. Pranë komisariatit atje u paraqit Gjovalin Nikolli, banues në lagjen “Gurra” të këtij qyteti dhe ka bërë denoncimin për zhdukjen e vajzës së tij 15-vjeçare Alda Nikolli. Sipas të dhënave policore, ajo është larguar rreth orës 12:30 nga banesa pa dijeninë e asnjë pjesëtari të familjes së saj dhe kjo i ka shqetësuar prindërit që pasi kanë kërkuar tek të afërmit e tyre i janë drejtuar për ndihmë policisë. Nga ana e saj uniformat policisë është bërë shpallja në kërkim e 15-vjeçares, si e larguar nga banesa.
Greqi
Policia qëllon mbi dy emigrantë shqiptarë, një vritet
Një operacion policor mëngjesin e djeshëm në Greqi ka përfunduar me vdekjen e një shqiptari dhe plagosjen e një tjetri. Sipas policisë Greke, dy shqiptarët akuzoheshin për serial vjedhjesh të ndodhura 6 muajt e fundit në disa supermarkete të Greqisë. Burime të policisë së Athinës bëjnë të ditur se operacioni ka ardhur pas evidentimit të një serie vjedhjesh që kanë ndodhur kohët e fundit në këtë vend. Gjithashtu mësohet se emigranti shqiptar mbeti i vdekur gjatë operacionit të policisë pasi nuk i është përgjigjur thirrjes së tyre për tu dorëzuar. Ndërkohë që emigranti tjetër ka mbetur i plagosur dhe ka arritur t’i shpëtoje prangave.
8 Shtator 2009