E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksi nacional në kaos, pas reagimit të banorëve të Dukatit e Orikumit Protesta për pronat, 3 orë e bllokuar Vlorë-Sarandë

Vargu i makinave arriti nga Orikumi deri në Llogara dje për shkak të një proteste të banorëve të Dukatit, Tragjasit e Orikumit për pronat.

Protestuesit bllokuan rrugën duke sjellë kaos në qarkullim në pikun e këtij sezoni turistik. Pushuesit e turistët kanë qëndruar për më shumë se dy orë të bllokuar e në vapë, ndërkohë që protestuesit nuk lejuan qarkullimin e tyre derisa u liruan gjashtë prej të shoqëruarve të policisë. Rreth 400 banorë e bllokuan rrugën që lidh Vlorën me Sarandën dje që në orën 09:00, ndërsa radha e mjeteve arriti rreth 3 kilometra. Për rreth 1 orë me pankarta në duar, ata kërkonin që prona të kthehet nga shteti tek pronarët. Banorët kërkuan certifikatë pronësie si dhe njohjen e të drejtës së pronësisë edhe në Llogara e Karaburun. Mbas përfundimit të protestës 1-orëshe të banorëve, të cilët bllokuan rrugën nacionale Vlorë-Sarandë, policia shoqëroi 6 persona në komisariat për bllokim të paligjshëm të rrugës. Por shoqërimi i tyre vetëm sa e acaroi situatën, duke sjellë një bllokim të dytë të rrugës nacionale, e cila zgjati edhe dy orë të tjera. Vargu i mjeteve u bë kilometrik, por banorët nuk iu bindën policisë për ta zhbllokuar atë. Protestuesit, kryesisht të rinj, mbanin në duar hekura, shkopinj dhe sende të tjera të forta. Ndërkohë, ata mbanin kokën të mbuluar më bluza për të mos u njohur nga policia. Disa prej tyre madje hodhën vaj makine në rrugë për të rrëshqitur mjetet, nëse do të kalonin. “Për rreth tri orë lëvizja e automjeteve në aksin Vlorë–Dhërmi- Himarë e Sarandë është bllokuar. Vargu i automjeteve arriti deri në Qafën e Llogarasë”, bëri të ditur policia. Gjatë protestës së dytë, blutë negociuan me banorët, por këta të fundit nuk pranuan të hapin rrugën nëse nuk liroheshin 6 të shoqëruarit. Madje ata kërcënuan me përshkallëzim të protestës. Policia e Vlorës i liroi ata pasi i mori në pyetje, çka solli më pas edhe zhbllokimin e këtij aksi. Blutë morën masa edhe për pastrimin e rrugës nga vaji i derdhur në të, pasi mjetet me shpejtësi rrezikonin të aksidentoheshin. Banorët e Dukatit, Tragjasit e Orikumit kërkuan gjatë protestës së djeshme caktimin e kufijve gjeografikë dhe historikë të fshatit të tyre. Gjithashtu ata kërkuan heqjen e postbllokut në zonën ushtarake të Pashalimanit, me qëllim për t’u dhënë mundësi dhe akses për të shkuar në zonat e Karaburunit, ku kanë edhe tokat e tyre. Ata kërkuan që në këtë zonë të pushonin të gjithë dhe të mos i pengonte askush të futeshin në të. Në peticionin që u drejtohet për herë të dytë institucioneve më të larta shtetërore, ata kërkuan që Qeveria para se të marrë një vendim për zonat e Dukatit, Orikumit dhe Tragjasit më parë të konsultohet më kryepleqësinë e këtyre fshatrave. Ata kërcënuan se nuk do të njohin asnjë vendim të Qeverisë, nëse kjo e fundit nuk do të marrë mendimin e tyre në lidhje me investimet që do të bëhen në këto fshatra. Radhët e gjata të mjeteve gjatë protestës së djeshme arritën deri në 3 km. Pushuesit reaguan ashpër ndaj kësaj proteste, e cila i la ata të bllokuar në mes të vapës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›