E Diel, 1 Nëntor 2026

Piramida "Xhaferri", i kërkuari shpallet debitor



TIRANE - Pëllumb Xhaferri, djali i ish-bosit të firmës piramidale "Demokracia Popullore Xhaferr" Rrapush Xhaferri, shpallet nga Gjykata e Tiranës debitor i një shumë prej 20 milionë e 230 mijë lekësh. Pak ditë më parë togat e zeza të gjykatës së kryeqytetit kanë pranuar padinë e administratorëve të Fondacionit "Demokracia Popullore Xhaferri" për lëshimin e urdhrit për ekzekutimin e vendimit të administratorëve të ish-firmave piramidale të 7 marsit 2001 "mbi shpalljen debitor të Pëllumb Xhaferrit". Në verdiktin e shpallur nga gjyqtarja Brunilda Kasmi thuhej se gjykata pranonte kërkesën dhe vendoste lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për zbatimin e vendimit të vitit 2001 të administratorëve të ish-firmave piramidale. Në vendim gjykata i ngarkonte detyrë Zyrës së Përmbarimit për ndjekjen dhe zbatimin e këtij urdhri ekzekutimi. Kërkesa në fjalë u depozitua në Gjykatën e Tiranës në ditët e para të muajit korrik. Sipas padisë, shuma e parave, për të cilat është shpallur debitor Pëllumb Xhaferri, është tërhequr nga fondi i parave të grumbulluara nga firma rentiere nga vetë djali i ish-bosit të firmës piramidale. Aktualisht Xhaferri rezulton i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare, pasi është dënuar në mungesë me 12 vjet heqje lirie. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›