E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, vdes 32-vjeçari nga rryma elektrike



TIRANE - Bie në rrymë elektrike, gjen vdekjen 32-vjeçari. Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 14:00 të pasdites së djeshme pranë stacionit të trenit në mjediset e një lokali lojërash fati. Njëra prej pajisjeve elektrike të lokalit kishte pësuar defekt, ndërsa administratori kishte njoftuar për riparimin e saj elektricistin Altin Resa 32 vjeç. Ky ka nisur menjëherë nga puna, por brenda pak minutash është goditur nga rryma elektrike, e për pasojë është përplasur përtokë. Personat e tjerë që ndodheshin aty janë përpjekur t'i japin ndihmën e parë, madje e kanë transportuar menjëherë te materniteti, i cili ndodhet në anën tjetër të rrugës. Stafi mjekësor i ka dhënë ndihmë intensive, por pa sukses, pasi ai ka ndërruar jetë. Më pas trupi i pajetë i të riut është përcjellë për në morgun e kryeqytetit dhe më vonë iu është dorëzuar familjarëve, ndërkohë që ekspertët e policisë së komisariatit numër 3 kanë kryer veprimet e procedurale në vendin e ngjarjes. Pas ngjarjes, policia e kryeqytetit pohoi zyrtarisht se shtetasi Altin Resa, i cili gjeti vdekjen në këtë ngjarje ishte duke riparuar një defekt në qarkun elektrik të lokalit dhe se ngjarja konsiderohet aksidentale dhe e ndodhur nga pakujdesia e viktimës. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›