E Diel, 1 Nëntor 2026

TIRANE / Vendimi pas kërkesës së dy palëve për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes nga togat e zeza Gjykata "lë pa fjalë" nusen e vjehrrën "Gruaja e njerka të jetojnë në një shtëpi pa asnjë komunikim"

Ato janë nuse dhe vjehërr që jetojnë në të njëjtën shtëpi, por që nuk flasin me gojë me njëra-tjetrën që prej datës 4 gusht.

Kjo, jo vetëm në sajë të dëshirës së tyre personale, por se vjehrra është urdhëruar nga Gjykata e Tiranës të mos komunikojë apo kontaktojë me nusen për një vit të tërë. Gjithçka ndodh në një shtëpi në kryeqytet. Lajmi bëhet i ditur nga burime të Gjykatës së Tiranës, ku pak ditë më parë Teuta F., 54 vjeç, ka kërkuar lëshimin e një urdhri mbrojtjeje nga vjehrra e saj, Remzie F. 71 vjeç. Para gjykatës Teuta F. ka pretenduar se kishte mosmarrëveshje me vjehrrën e saj, për shkak të pronësisë së shtëpisë në të cilën banonin dhe se momentet e konfliktit mes të dyjave shoqëroheshin me veprime të dhunshme fizike e psikologjike. Konflikti i fundit mes tyre mësohet të ketë ngjarë më datë 4 korrik 2010, pa praninë e pjesëtareve të tjerë të familjes dhe është shoqëruar me veprime të dhunshme të vjehrrës ndaj nuses, si rezultat i të cilave kjo e fundit i është drejtuar Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë. Në vijim dokumentacioni është përcjellë në gjykatë bashkëngjitur kërkesëpadinë për marrjen e disa masave për mbrojtjen e Teuta F. nga Remzie F. Por situata është paraqitur me e koklavitur seç dukej në gjykatë, kur vjehrra Remzie F. ka pretenduar se ishte ajo e dhunuara. Madje, ajo i ka thënë gjykatës se dhunuesit ishin djali i saj dhe bashkëshortja e tij. Këtë, 71-vjeçarja e ka provuar me një urdhër mbrojtjeje që kishte përfituar nga Gjykata e Tiranës më 25 mars të këtij viti, efektet e të cilit janë ende në fuqi.
Nga ana e saj nusja, Teuta, i kërkonte gjykatës urdhërimin e vjehrrës Remzie F. që: të mos e kërcënonte se do të kryente vepër dhune ndaj saj; të mos e ngacmonte, kontaktonte, apo komunikonte me të; të largohej nga banesa ku jetonte për një afat 1-vjeçar e të mos lejohej hyrja pa autorizimin e gjykatës; të mos i afrohej asaj më afër se 10 metra; të mos shkonte në vendin e punës së saj dhe të mos hynte në pjesën e banesës që zotërohet nga ajo. Në vendim gjykata pranoi vetëm kërkesën për t'u ndaluar komunikimin, pasi sipas saj, paditësja Teuta nuk paraqiti prova që të provonte dhunën. "Gjykata, lidhur me masën mbrojtëse që konsiston në ndalimin e komunikimit të të paditurës me paditësen, çmon se për sa kohë vullneti për të mos komunikuar është i dyanshëm, nuk mund t'u imponohet personave, të cilët këtë komunikim nuk e dëshirojnë më. Për më tepër, gjykata çmon se komunikimi mes ndërgjyqëseve mund të shërbejë si faktor përkeqësues i marrëdhënieve tashmë të rënduara ndërmjet tyre", pohohej në vendimin e gjykatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›