E Diel, 1 Nëntor 2026

Ikën autori i ngjarjes, policia: Ekzekutimi ndodhi pas sherrit mes disa personave. Autori e ndoqi viktimën Përplasje me armë, vritet 33-vjeçari Tiranë, Leonard Bilali qëllohet me pistoletë tek "Irfan Tomini"

Një person u vra mbrëmë me armë zjarri pranë një lokali në rrugën "Irfan Tomini" në Tiranë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:40 kur shtetasi Leonard Bilali, 33 vjeç, është qëlluar me armë zjarri duke u plagosur rëndë. Ai është transportuar menjëherë në drejtim të Spitalit Ushtarak, ku ka gjetur vdekjen pak minuta më vonë si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat me armë në rrugë pranë lokalit ku ndodhi krimi. Shërbimet e policisë së kryeqytetit kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, duke filluar veprimet hetimore në skenën e krimit si dhe duke marrë në pyetje dëshmitarët e ngjarjes. Sipas deklarimeve të marra nga policia prej personave okularë, viktima e vrasjes, shtetasi Leonard Bilali, kishte më tepër se 40 minuta që ishte ulur në lokal. Ai kishte dalë nga bari me disa shokë të tij por është ndjekur nga një grup personash ndërsa njëri prej tyre e ka qëlluar me pistoletë “Makarov”. Sipas policisë, viktima e ngjarjes ishte banues pranë zonës ku ndodhi vrasja, tek "Komuna e Parisit" në kryeqytet. Burime të policisë, duke iu referuar deklarimeve të marra nga personat me dijeni për ngjarjen, thanë se vrasja e 33-vjeçarit ka ndodhur pas një konflikti banal dhe të momentit që viktima ka pasur me autorin e krimit. Deri rreth mesnatës Policia e Tiranës nuk ka konfirmuar arrestimin e autorit të ngjarjes, i cili mësohet se është larguar nga vendi i krimit menjëherë pasi qëlloi me armë ndaj Leonard Bilalit. Ndërkohë shërbimet e policisë, të cilat mbërritën në vendin e ngjarjes, kanë bërë shoqërimin e disa personave në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ata kanë qenë të pranishëm pranë vendit ku ndodhi krimi dhe menjëherë pas ngjarjes janë marrë në pyetje në policinë e kryeqytetit. Nga deklarimet e marra prej dëshmitarëve të pranishëm në vendngjarje, policia ka pohuar se viktima e vrasjes, Leonard Bilali si dhe autori i krimit, nuk kanë qenë të vetëm në konfliktin e nisur mes disa personave, i cili më pas ka degjeneruar në përdorimin e armës së zjarrit. Të shtënat me armë kanë shkaktuar panik për disa minuta tek banorët e zonës. Policia tha se ka ngritur postblloqe në të gjithë zonën rrotull vendit ku ndodhi ngjarja, ndërkohë që ka dyshime se viktima e vrasjes ka pasur një precedent penal në vitin 2005. Në këtë kohë, policia tha se e kishte arrestuar Leonard Bilalin me akuzën e keqtrajtimit të një shtetasi turk që punonte në një restorant në rrugën "Komuna e Parisit" në Tiranë. Shtetasi i huaj kishte denoncuar keqtrajtimin e tij në lokalin ku punonte, por prokuroria e kishte lënë të lirë Leonard Bilalin pak orë pas ndalimit nga forcat e policisë. f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›