Meta në Liban lobon për njohjen e Kosovës
Shefi i diplomacisë shqiptare zhvilloi një vizitë zyrtare në Bejrut, ku u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Libanit, Michael Sulejman. Gjatë këtij takimi, Meta e njohu Presidentin libanez me politikën paqësore dhe konstruktive të Shqipërisë, si dhe realitetin e ri të krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me fokus të veçantë pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Duke theksuar se "Kosova është një realitet i pakthyeshëm", Meta kërkoi nga Presidenti i Libanit që vendi i tij të konsiderojë njohjen e shpejtë të shtetit të Kosovës. Gjithashtu ai theksoi qëndrimin e Shqipërisë për një zgjidhje paqësore të konfliktit në Lindjen e Mesme, në përputhje me qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara.