E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kurum” ofron zgjidhje:10 për qind rritje page



ELBASAN - Greva e punëtorëve të kompanisë turke “Kurum” ka hyrë në ditën e tetë të saj. Edhe dje, rreth 100 punëtorë braktisën punën. Përfaqësues të lartë të kompanisë “Kurum Internacional” bënë të ditur se në orët e vona të së hënës, pas një takimi urgjent që menaxheri i përgjithshëm i kompanisë Koray Zeytinoglu, ka pasur me një nga pronarët e firmës, ata kanë rënë dakord që t’u ofrojnë si zgjidhje punëtorëve grevistë 10 për qind rritje të pagës. Por, edhe pse kanë kaluar rreth 24 orë nga kjo ofertë konkrete e drejtuesve të firmës, punonjësit ende nuk kanë dhënë përgjigje, nëse e pranojnë atë dhe se kur do të rikthehen në vendet e tyre të punës. Në fakt, pas kësaj oferte, dhjetëra punëtorë janë shprehur të kënaqur për rritjen që kanë ofruar turqit e “Kurum”. Ndërsa një pjesë tjetër e ka quajtur atë tallje, pasi sipas tyre, shifra prej 10 % që kanë ofruar drejtuesit e kompanisë nuk e rrit mirëqenien në familjet e tyre. “Një punonjës turk në këtë kompani merr 2500 USD në muaj, ndërsa një punonjës shqiptar merr afërisht 30 mijë lekë”, u shprehën punëtorët protestues. Sipas tyre, rritja me 10 për qind i shton pagës së tyre 3 mijë lekë, duke e çuar atë në 330 mijë lekë. Ndërkaq dje greva e punonjësve është mbajtur nën mbikëqyrjen e rreptë të forcave të rendit. Ata qëndruan deri në orët e pasdites të shumtë në numër, për të ruajtur rendin qetësinë dhe për të shmangur ndonjë përleshje të mundshme mes tyre dhe përfaqësuesve të firmës turke “Kurum”. Ndërkohë mësohet se drejtuesit e firmës turke u kanë ofruar punëtorëve zgjidhje edhe në lidhje me kuotën e ushqimit, e cila nga 100 lekë do të bëhet 200 lekë. Gjithsesi, pritet një tjetër takim mes përfaqësuesve që gjërat të konkretizohen, pasi një pjesë e mirë e punonjësve grevistë nuk ka pasur asnjë dijeni në lidhje me kushtet e reja që u kanë ofruar turqit. Dita e sotme mund të çojë në përfundimin e kësaj greve tetë ditore. Nëse punëtorët nuk bien dakord, atëherë ata mund të futen në grevë urie. a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›