E Diel, 1 Nëntor 2026

KORÇE/ Nga shtëpi-muze, vila e patriotit të shquar shndërrohet në ambient ordiner. Akuza edhe nga bashkia Shkatërrohet shtëpia e Themistokliut Trashëgimtarët: Ilir Voci e ktheu në lokal dhe zhduku objektet me vlerë

Shkatërrohet shtëpia-muze e Themistokli Gërmenjit në Korçë. Nga një godinë me vlera, mbushur me objekte relike të patriotit të shquar korçar, sot ajo është shndërruar në lokal e shtëpi banimi.

Këto akuza janë ngritur nga ana e Bashkisë së Korçës dhe trashëgimtarëve të Themistokli Gërmenjit ndaj Ilir Vocit, personit që pretendon bashkëpronësinë e vilës. Por, akuzave të deritanishme ndaj tij nga Bashkia e Korçës dhe pronarëve të vilës për fshirjen e identitetit të vilës dhe zhdukjen e relikeve brenda saj, u është shtuar konflikti mbi pronësinë e saj. Pas debateve dhe replikave të nxehta që janë shkëmbyer ditët e fundit nga ana e bashkisë dhe Vocit për ndryshim të destinacionit dhe humbje të vlerave që kishte kjo shtëpi-muze, ka dalë një konflikt pronësie, që ka detyruar edhe policinë e Korçës të ndërhyjë për të shmangur përplasjet fizike midis palëve. Pasditen e së hënës, dy palët në bashkëpronësi të ish-shtëpisë së Themistokli Gërmenjit janë konfliktuar pranë ambienteve të saj dhe ka qenë policia, ajo që ka ndërhyrë për të evituar tensionimin e mëtejshëm të gjendjes. Llambi e Zhaneta Dhimoshi akuzojnë bashkëpronarin e vilës, Ilir Voci, se ka uzurpuar të gjithë shtëpinë në mënyrë abuzive, duke e përdorur shtëpinë-muze si lokal e shtëpi banimi, edhe pse ajo ka bashkëpronarë të tjerë. Pronësia mbi shtëpinë-muze të Themistokli Gërmenjit në Korçë është kthyer kështu në çështje dite, duke u pozicionuar në këtë konflikt jo vetëm të dy palët që kërkojnë të drejtat e tyre mbi këtë vilë që ndodhet në qendër të Korçës, por edhe bashkia, policia dhe gjykata. Llambi Dhimoshi, në prononcimin e tij për mediat tha se ka trashëgimi në shtëpinë muze të Themistokli Gërmenjit nga nëna e tij, Mardella Pendavinji, mbesë kjo e gruas së Themistokli Gërmenjit. Me-qenëse Themistokli Gërmenji nuk ka pasur fëmijë, shtëpinë e tij pas vdekjes e kanë trashëguar më të afërmit nga ana e gruas. Dhimoshi thotë se në vitin 1996, me vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave, i është njohur si pronë shtëpia e Themistokli Gërmenjit. Më pas, është lidhur një kontratë qiraje me Ilir Vocin, që ky i fundit të shfrytëzonte në përdorim për një periudhë 10-vjeçare shtëpinë, deri në vitin 2006. Në kohën që filloi aktivitetin si Vila Themistokli, kjo banesë në zemër të qytetit të Korçës mbante brenda saj relike të vyera të patriotit Themistokli Gërmenji, kryesisht armë të përdorura prej tij, që më vonë nuk u panë në ambientet e vilës. Tashmë Llambi Dhimoshi akuzon Vocin se ai ka manipuluar dokumentet dhe personat trashëgimtarë për të siguruar pronësi mbi vilën, aq sa, sipas kryebashkiakut Peleshi, është deklaruar edhe si pasardhës i Themistokli Gërmenjit. Gjatë viteve të fundit Voci ka arritur të sigurojë një pjesë të vilës në pronësi të tij, por për pjesën tjetër është vënë në konflikt gjyqësor me palën që pretendon gjithashtu, pronësi si trashëgimtare nga ana e gruas së Themistokli Gërmenjit. Dhimoshi tha se pas shumë tratativash me bashkëpronarin Ilir Voci, ditën e hënë i ka paraqitur atij një dokument të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive që e njeh si pronar të një pjese të vilës. Pikërisht ky ballafaqim ka sjellë përplasje dhe tensionim midis dy palëve, duke detyruar policinë të ndërhyjë për të shmangur problemet me dhunimin e banesës. Dhimoshi tashmë pretendon se Vila Themistokli ka humbur vlerat e saj si muze, ndërsa për detyrimet private me Vocin thotë se është duke kërkuar të drejtën e tij në gjykatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›