E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksident ajror në Indi, 158 të vdekur dhe 8 të mbijetuar



Një avion pasagjerësh me 166 vetë në bord është aksidentuar gjatë uljes në aeroportin e qytetit Mangalore, në jugperëndim të Indisë, ku kanë mbetur 158 të vrarë. Sipas të dhënave të autoriteteve, tetë pasagjerë mbijetuan duke marrë lëndime të rënda. Avioni i shoqërisë ajrore me fluturime të lira “Air India Express”, që vinte nga Dubai kaloi përtej pistës së uljes për arsye deri tani të panjohura, u thye në disa pjesë dhe mori zjarr. Në momentin e fatkeqësisë raportohet të ketë pasur mundësi të vështira shikimi. Kryeministri i Indisë Manmohan Singh i shprehu ngushëllime pjesëtarëve të familjeve të viktimave dhe u premtoi një dëmshpërblim financiar. Një përfaqësues i lartë i policisë në Mangalore tha se aeroplani u nda në disa copa dhe u kaplua nga flakët e zjarrit. Sipas njoftimeve të medieve vendase aksidenti ndodhi rreth orës 6.30 sipas orës lokale. Shkaqet e aksidentit janë të paqarta. Në njoftimet e medieve thuhet se në momentin e uljes së avionit koha ishte shumë e keqe. Ditët e fundit ka pasur reshje të mëdha, të cilat mund të kenë penguar shikimin. Dëshmitarë okularë i thanë CNN-it, se Boeing 737 u përplas me një mur kufitar të territorit të aeroportit dhe përfundoi në luginë. Zona kodrinore, e mbushur me pemë vështirëson punën e forcave të shpëtimit. Aksidenti është më i rëndi që ka ndodhur në Indi që prej nëntorit 1996. Në atë ditë pati përplasje të një avioni të Arabisë Saudite me një nga Kazakistani. Si pasojë humbën jetën 349 vetë.

24 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›