E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimet e Shyqyri Kollit: Udhëtimi në Moskë me ministrin e Mbrojtjes të Bashkimit Sovjetik



(Vijon nga numri i kaluar)

Ndër personalitetet që ka udhëtuar me avionin e Enver Hoxhës ka qenë edhe ministri i Mbrojtjes i Bashkimit Sovjetik, me detyrë komandant i Traktatit të Varshavës. Këtë detaj e rrëfen Shyqyri Kolli, tekniku i ekuipazhit të skuadrës së avionëve që ishte në shërbim të udhëheqjes komuniste. Kolli tregon në detaje se si në vitin 1959, zyrtari i lartë i Moskës shprehu dëshirën e tij për të fluturuar me ekuipazhin shqiptar. Këto dhe shumë detaje të tjera në lidhje me misionet e avionëve qeveritarë i rrëfen Shyqyri Kolli në pjesën e tretë dhe të fundit të intervistës që dha për gazetën “Albania”. Po ashtu, sot do të gjeni edhe një histori interesante që piloti Ramadan Taçi tregon për aventurën e avionit shqiptar për të sjellë nga Budapesti në Rinas arkivolin me trupin e pajetë të shkrimtarit Jakov Xoxe, në vitin 1978.

Për çfarë përdoreshin avionët e tjerë që ishin në shërbim të udhëheqjes?

Siç e thashë, dy avionë ishin vetëm për Enver Hoxhën, një tjetër për topografimet ajrore dhe një tjetër për shërbime të ndryshme, kryesisht për persona të sëmurë apo misione të tjera.

Ju keni udhëtuar jashtë shpeshherë, ndërsa këtu në Shqipëri ishte realisht një burg i vërtetë. Si e ndjenit veten? A ndiheshin nën presion, apo të survejuar?

Secili nga ne kishte detyra të përcaktuara dhe udhëzime në të gjitha aspektet. Madje, kur kemi shkuar në Greqi për herë të parë, në vitin 1971, për të çuar ministrin e Tregtisë së Jashtme, na thirrën në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Na thanë se nuk do të flisnim me grekët. Na veshën me kostum. Megjithëse u thamë se do të punojmë dhe do të komunikojmë me personelin e aeroportit, ata na detyruan që të visheshim me kostume. Kemi qëndruar në Greqi 12 ditë dhe ishim të detyruar që të tregonim kujdes gjatë komunikimit. Por, do të them një detaj shumë interesant. Kur vinim në Shqipëri, kurioziteti i familjarëve, i fëmijëve dhe i gjithë të tjerëve ishte i madh. Ne nuk mund të flisnim me askënd për atë që kishim parë dhe dëgjuar. U thoshim se jashtë Shqipërisë gjendja është e keqe, kishte papunësi, varfëri e kështu me radhë. Por, kur u hap Shqipëria me botën, njerëzit e kanë parë me sytë e tyre se realiteti ishte krejt ndryshe. Mbyllja e gojës ishte pjesë e profesionit tonë.

Me çfarë misionesh shkonit në Itali?

Ne udhëtonim me misione të ndryshme. Mbaj mend njëherë që sollëm një mjek italian për Gogo Nushin dhe ajo ditë përkoi me ditëlindjen e Enver Hoxhës. Mjeku, pasi përfundoi vizitën, nuk pranoi të qëndronte në Shqipëri, pasi tha se do të udhëtonte ditën tjetër për në Australi. Pasdite na urdhëruan që të përgatiteshim për fluturim. Ne i përgatitëm ushqimin gjatë udhëtimit, por ai nuk futi asgjë në gojë. Hapi një libër dhe lexonte gjatë gjithë kohës.

Cilët personalitete të huaja kanë udhëtuar me avionët shqiptarë?

Me avionin tonë kemi dërguar në Moskë ministrin e Mbrojtjes të Bashkimit Sovjetik. Pasi mbaroi vizitën në Shqipëri shprehu dëshirën që të fluturonte drejt vendit të tij me ekuipazhin shqiptar. U nisëm nga Rinasi dhe u ulëm në Kiev për të marrë karburant. Aty iu bë kontrolli avionit, ndërsa ne pushuam për disa orë. Kur u kthyem e kishin furnizuar dhe përgatitur për fluturim IL-14-n. Kur mbërritëm në Moskë, ministri na mbajti disa ditë. Na ofroi dy makina për të parë Moskën dhe një përkthyes. Në ditën e fundit të qëndrimit tonë na thirri në zyrë dhe na dhuroi secilit prej nesh nga një orë.
Ka pasur shumë delegacione të huaja deri në vitin 1962, të cilat kanë fluturuar me avionët tanë, por pas asaj periudhe kishte rënie të madhe të vizitorëve të huaj.

A kujtoni misione të tjera me avionët e udhëheqjes?

Kemi xhiruar edhe filma të tjerë me avion. Ka qenë filmi “Gjurmë në kaltërsi” dhe ka pasur disa pasazhe ku qëllohej një avion italian me artileri. Xhirimet janë bërë në Tiranë, në kushte errësire. Ekipi i Kinostudios ishte në Dajt. Ne do të fluturonim nga Dajti poshtë, drejt Kinostudios. Në momentin kur hodhëm dordolecin e parë, i cili ishte një imitacion i ushtarit italian, avioni u fut në një pozicion të pakomandueshëm për shkak të rrymave të ajrit. Fillimisht ne menduam se një nga dordolecët kishte mbetur në krahët e avionit. Por ne u detyruam që të zbritnim poshtë në fushën e Tiranës për të shmangur rrymat e ajrit. Ky rast mund të kthehej në katastrofë nëse nuk do të ishte manovruar në kohë dhe me shpejtësi.
Kemi xhiruar edhe një film tjetër. Me sa mbaj mend, ishte “Gracka”. Në avionin tonë ishte shkruar “US Air Force”. Kemi punuar gati dy javë. Avionët përdoreshin edhe për stërvitje të trupave speciale për të përgatitur ushtarakët në raste sulmesh terroriste.

Ka pasur informacione të klasifikuara se gjatë kohës së komunizmit bëhej kontrabandë me shtete të tjera, sidomos me Italinë. A ju kujtohet ndonjë rast që avionët të jenë përdorur për aktivitete ilegale?

Avionët janë përdorur vetëm për fluturimet e udhëheqjes. Se çfarë kishte brenda kutive apo valixheve që transportonin, është e kuptueshme se ne nuk kishim si ta dinim. Nga OKB-ja vinin materiale të shumta. Por as që na shkonte në mendje që t’i kontrollonim. Në fillim nuk kontrolloheshim.

Si silleshin drejtuesit dhe personeli i aeroporteve të huaja? Po në Itali?

Në përgjithësi, sjellja e tyre ishte shumë e mirë, shumë korrekte. Ne kishim trajtim të veçantë edhe në aeroportet italiane. Madje jemi miqësuar me disa prej tyre.

Fund

Boks/ Ramadan Taçi:
“Aventurat për të sjellë arkivolin e Jakov Xoxes në Tiranë”

Ramadan Taçi rrëfen një histori interesante, plot vështirësi, për të sjellë arkivolin e shkrimtarit të njohur shqiptar Jakov Xoxe nga Budapesti në Rinas. Ai rrëfen në detaje problemet që pati ekuipazhi shqiptar në Hungari dhe në Serbi.

“Na u dha urdhri për t’u nisur drejt Budapestit për të marrë arkivolin me trupin e pajetë të Jakov Xoxes. Në orën 5:45 u ulën në aeroport dhe aty gjetëm arkivolin të futur brenda një kutie shumë të madhe. Kutia ishte aq e madhe, sa nuk arrinim ta futnim brenda në avion. U detyruam që të çmontonim kutitë dhe ta futnim arkivolin në avion. Përveç shërbimeve, ne kërkuam karburant pasi depozita nuk mjaftonte për gjithë fluturimin deri në Rinas. Avioni ynë furnizohej me benzol B-100 dhe në Aeroportin e Budapestit nuk kishte të tillë, por na premtuan se do ta merrnin në një regjiment helikopterësh. Ne nuk kishim para me vete. Iu thamë se pagesën do ta bënte Alb-Transporti. Ne i kishim ndezur motorët për t’u larguar, por ata vunë përpara avionit një furgon dhe nuk na lanë të lëviznim pa shlyer detyrimet që kishim për shërbimet dhe taksën aeroportuale. Kjo solli edhe një incident të vogël, por më pas u lajmërua Ambasada Shqiptare në Hungari, e cila solli një punonjës dhe bëri pagesat.
Ne u larguam nga Budapesti pasi iu përgjigjem detyrimeve financiare, por nuk arritëm që të merrnim karburant. Me patjetër do të duhej që të uleshim në një aeroport tjetër për t’u furnizuar. E vetmja zgjidhje ishte Beogradi. Shkuam atje dhe kërkuam karburant. Edhe në Beograd na kërkuan para në dorë, por ne u dhamë të njëjtën përgjigje: “I paguan Alb-Transporti”, kompania shtetërore shqiptare e transportit ajror. Ata na u përgjigjën prerë se Zoti dhe Perëndia e tyre ishte vetëm Jugo-Petroli. Atëherë u detyruam sërish që të kërkojmë ndihmën e Ambasadës tonë në Beograd, e cila bëri sërish pagesat për benzolin që morën. Më në fund erdhëm në Rinas, duke kaluar gjithë këto peripeci.

PERSONELI QË PUNOI ME AVIONËT QEVERITARË

Para viteve ‘60
Babaçe Faiku - pilot
Hamit Ulqinaku - pilot
Irakli Grazhdani - pilot
Ylber Laknori - pilot
Daut Gurabardhi - teknik
Shyqyri Kolli - teknik
Masar Aga - shturman
Xhulian Popa – shturman
Misir Banaj – radist fluturues
Sadik Sadikaj – radist fluturues

Pas viteve ‘60
Fari Bubësi - pilot
Çobo Skënderi - pilot
Koço Andoni - pilot
Llazar Çuçi - pilot
Halit Bulku - pilot
Sillo Melica - pilot
Serafin Shegani - pilot
Servet Tusha – teknik fluturimi
Sulo Gorica – teknik fluturimi
Gaqo Rrapi – teknik fluturimi
Spiro Burda – teknik fluturimi
Ramadan Taçi – teknik fluturimi
Niko Gambeta – teknik fluturimi
Stefan Sallaku – radist fluturues
Shako Hoxha – radist fluturues
Molos Radhima – radist fluturues
Ramo Mejdia - shturman
Raqi Gjylameti - shturman
Luan Sina - shturman
Flamur Dede - shturman
Bashkim Gjoliku – inxhinier elektrik
Raqi Sevo – shef i pajisjeve speciale

Në numrin pasardhës do të lexoni

Si u shkatërruan dy avionët specialë që përdori Enver Hoxha

Ramandan Taçi rrëfen për vitet e vështira në fillim të tranzicionit për mjetet fluturuese që u përdorën deri në fillimin e viteve ‘90

Vendimi që solli shkatërrimin e avionit “IL-14” dhe tre avionëve të tjerë. Prerja dhe futja e konstruksioneve metalike në një magazinë në Rinas

Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës

24 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›