Pranga policit ushtarak, mbajti peng një shtetas
DURRËS – Një punonjës i policisë ushtarake është arrestuar pasi ka rrëmbyer me dhunë një shtetas, të cilin e ka çuar në banesën e tij dhe e ka dhunuar fizikisht atë. Sipas burimeve policore, shtetasi Ramazan Alibejsi, me detyrë polic ushtarak, ka futur me forcë në makinën e tij shtetasit Florent H, të cilin e ka çuar në fshatin Xhafzotaj të Durrësit duke e mbajtur për gati një orë dhe duke e keqtrajtuar. Ngjarja ka ndodhur në mjediset e një qendre tregtare të qytetit bregdetar, ku për motive të dobëta, polici Ramazan Alibejsi 47-vjeçar, lindur dhe banues në Romanat të Durrësit ka marrë me forcë 38-vjeçarin Florent H, lindur në Berat dhe banues në Peqin duke e futur në makinë dhe më pas e ka kërcënuar. Tek i dëmtuari janë konstatuar dëmtime trupore të lehta dhe ka qenë vetë ai që ka bërë kallëzimin penal pranë forcave të policisë lidhur me këtë pengmarrje nga ana e policit ushtarak. Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme prokurorisë së Durrësit për veprën penale të “Heqjes së paligjshme të lirisë”.
11 Dhjetor 2009