Konferenca: Guvernatori Fullani analizon situatën ekonomike në rajon
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka bërë thirrje nga Brukseli për më shumë vëmendje ndaj sistemit bankar. Duke folur në konferencën "Ballkani Perëndimor: Kalimi i krizës", kreu i BSH-së ka analizuar situatën aktuale të sistemit në rajon, politikat e ndjekura nga Banka Qendrore si dhe ka guxuar të japë mendime personale rreth reagimit që është marrë ndaj krizës ekonomike. "Sot, një vit pas fillimit të krizës financiare, më duhet të pohoj se të gjitha masat e ndërmarra nga bankat qendrore të vendeve të rajonit kanë ngjashmëri me njëra-tjetrën. Sipas mendimit tim, masat e marra gjatë kësaj periudhe janë përgjithësisht të natyrës ekstreme; ato janë të pazakonta dhe bien ndesh me "kushtetutën" e një banke qendrore moderne në drejtim të likuiditetit, të tregut të parasë dhe të kanaleve të transmetimit të politikës monetare. Megjithatë, ne kemi përqafuar filozofinë se ‘qëllimi justifikon mjetin‘", tha Fullani. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë renditi disa propozime rreth politikës që duhet të ndërmarrin krerët e bankave të rajonit. "Duhet të ndryshojë mentaliteti i shoqërive tona në rajon. Dihet që ky rajon ka një histori të mbushur me konflikte dhe mosmarrëveshje. I përket brezit të ri dhe njerëzve që përqafojnë të renë në rajon, të gjejnë zgjidhjet dhe të inkurajojnë ato sjellje që do të çojnë drejt së ardhmes tonë në Europë", theksoi guvernatori.
11 Dhjetor 2009