E Diel, 1 Nëntor 2026

Të vetëpunësuarit në fshat, kush sigurohet në ISSH-ë i falen kamatëvonesat



Ervin KOÇI

Qeveria do të falë të gjitha kamatëvonesat për kontributet e paguara nga fermerët që bëjnë sigurimet vullnetare, duke i dhënë atyre një mundësi për ti futur në skemën e sigurimeve. Sipas ligjit, i cili është botuar vetëm dy ditë më parë në Fletoren Zyrtare pasi është dekretuar nga Presidenti më 17 nëntor të këtij viti dhe ka hyrë në fuqi pas 15 ditësh, të vetëpunësuarve në bujqësi u falen kamatëvonesat e papaguara për kontributet e sigurimeve të detyrueshme shoqërore, të paguara para hyrjes në fuqi të këtij ligji. Nëse fermerët do të paguajnë kontributet për sigurimet shoqërore me vonesa brenda datës 31.03.2010, atëherë hiqen të gjithë penalizimet shtesë. Ndryshimet ligjore favorizojnë të vetëpunësuarit në bujqësi që nëse paguajnë brenda këtij afati të ri të gjithë shumën e sigurimeve në vonesë, përfitojnë faljen e penalizimeve që mund të marrin. “Kamatëvonesat e paguara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, për kontributet e sigurimeve shoqërore nuk kthehen”, - thekson ligji. Duke paguar sigurimet për 13 vitet e prapambetura, pa kamatëvonesë, një pjesë e mirë e këtyre të vetëpunësuarve në bujqësi që janë në moshë të madhe mund të arrijnë të përfitojnë edhe pensionin e pleqërisë.

Përfituesit

Për të bërë këtë pagesë fermeri duhet të këtë në pronësi tokë, duke përfshirë këtu si tokën e përfituar nga ligji 7501, edhe atë të blerë apo të marrë më qira dhe të ushtrojë aktivitet bujqësor, me qëllim që për këto vite që ka bërë derdhjen e lekëve, të merren të mirëqena për vitet e pensionit. Përpara se të paraqitet fermeri pranë inspektorëve të Sigurimeve Shoqërore, duhet të jetë i pajisur me dokumentin e identifikimit, vërtetimin e tokës, i cili mund të merren në Hipotekë ose kontratën në rastin e marrjes me qira, vërtetim që ushtron aktivitet bujqësor që e merr në bashkinë apo komunën ku ai banon. Më pas është inspektori i kontributeve, i cili sqaron rast pas rasti për sa vite duhet të bëhen derdhjet në bankën që ka zgjedhur vetë i interesuari. Banka i pajis ata me mandatin përkatës, të cilin duhet ta paraqesin tek inspektori përkatës për të marrë librezë kontributi.

Rastet

Për fermerët e ardhur dhe që tokën nuk e kanë të fituar nga ligjin 7501, por e kanë blerë apo e kanë me qira, duhet që në dokumentin e identifikimit të marrë në gjendjen civile, të cilësohet data e lejes së banimit, pasi këtij fermeri derdhja do t’i quhet e mirëqenë nga viti 2006. Për raste kur fermeri e ka fituar tokën me ligjin 7501, pavarësisht se kur është pajisur me leje banimi, atij derdhja do t’i merret në konsideratë për të gjitha vitet që ka derdhur kontribut. Në rast se toka është në pronësi të kryefamiljarit dhe këtë derdhje duhet ta bëjë një pjesëtar i familjes, për t’iu quajtur këtij të fundit vite pune, duhet të pajiset me një certifikatë të trungut familjar. Në bazë të ligjit 7703, datë 11.05.1993 dhe 9136, datë 11.09.2003 derdhjet e kontributeve të sigurimeve shoqërorë nga mosha 16 vjeç deri në moshën e daljes në pension, janë të detyrueshme. Ky ndryshim ligjor sjell një falje vetëm për borxhin e krijuar nga kamatëvonesat, ndërsa principali mbetet sërish për t’u paguar brenda datës 31 mars 2010. Ligji parashikon që kontributet e sigurimeve shoqërore të vonuara të vitit 2009, duhet të paguhen pa u mbyllur tremujori i parë i vitit 2010.

11 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›