Greqia ne krizë, borxhet rrezikojnë ekonominë e vendit
“Nëse Greqia nuk eliminon borxhet, atëherë janë ato që do ta eliminojnë atë”. Ka qenë vetë kryeministri aktual George Papandreou, i cili përmes një deklarate publike ka ngritur shqetësimin dhe alarmin në të njëjtën kohë, se efektet e krizës financiare në këtë vend, rrezikojnë sovranitetin kombëtar. “Greqia duhet ta çrrënjosë borxhin, në të kundërt borxhi do ta eliminojë vendin”, ka thënë fjalë për fjalë Papandreu, pas komenteve shqetësuese nga zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian mbi treguesit ekonomikë regresivë të Greqisë. Asnjëherë një kryeministër grek nuk ka folur me nota kaq alarmante për sa i përket treguesve ekonomikë. Komisioni Evropian, në takimin e fundit paraqiti me shqetësim të dhënat negative për ekonominë që vinin nga një vend i zonës së euros, siç është Greqia. Sipas të dhënave zyrtare, deficiti publik i Greqisë pritet të rritet për afro 13 për qind këtë vit, prandaj qeveria greke ka njoftuar marrjen e masave radikale për daljen sa më parë nga kriza. Banka Qendrore Europiane ka paralajmëruar Greqinë se ka vetëm një vit kohë për të rimarrë në kontroll financat publike, përndryshe fondet e vendit fqinj nuk do të mund të përdoren nga bankat si kolateral për të marrë borxhe nga kjo Bankë. Presioni mbi qeverinë socialiste të Athinës po shtohet ndjeshëm vetëm pak ditë pasi u mësua se buxheti i saj ishte në gjendje tepër të keqe.
11 Dhjetor 2009